LDK paralajmëron diçka për të Mërkurën

Sot në konferencën e rregullt javore, Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’s, Avdullah Hoti, ngriti tri tema, siç janë Raporti i BE’s për Kosovën, Platforma e re për dialogun me Serbinë si dhe çashtjen e organizimit të tryezës me partitë politike.

Tue ba vlerësimin për Raportin e BE’s për Kosovën, Hoti theksoi se koalicioni qeverisës nuk ka arritë të adresojë çashtjet me randësi të lidhuna me progresin e Kosovës drejt BE’s dhe as të krijoj koncensus politik për çashtjet me randësi nacional.

Tutje, Hoti tha se, “ Përpjekja për shfuqizimin e Ligjit për dhomat e specializuara ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare. Kosova nuk po bën progres në zbatimin e MSA –së “.

Mbas theksimit të shumë vërejtjeve të tjera lidhun me këtë raport, Hoti ngriti çashtjen e nevojës së nji koncensusi nacional në mënyrë që të adresohen sfidat e ngrituna në raport.

Tue komentue Platformën e re për dialog me Serbinë të miratuem dje në Qeveri, Hoti vuni në vëmendje varfninë e përmbajtjes së këtij dokumenti, i cili për ma tepër nuk definon as temat për diskutim, as parimet dhe as afatet kohore. Ai gjithashtu shprehu edhe pakënaqësinë lidhun me rolin që i jep kjo platformë Presidentit në procesin e dialogut tue theksue se ky rol i atribuohet atij në mungesë të fuqisë së koalicionit qeverisës për të udhëheqë proceset madhore të vendit.

“LDK-ja do të analizojë në ditët në vijim këtë platformë dhe në konsultim me strukturat e veta dhe Grupin parlamentar do të marrë vendim”
, tha Hoti.

Hoti njoftoi për Tryezën e partive politike, e cila pritet të mbahet të Mërkurën e javës së ardhshme.

“Kjo tryezë ku do të përfshihen të gjitha partitë politike në vende është e domosdoshme duke pas parasysh krizën institucionale dhe politike që po kalon vendi, humbjen e shumicës parlamentare, mosfunksionimin normal të Kuvendit si dhe dështimin e funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve siç ishte rasti me dëbimin e gjashtë shtetasve turq”, theksoi Hoti.

Ai gjithashtu bani të ditun edhe dy nga çashtjet themelore, në të cilat do të koncentrohet kjo tryezë dhe ato janë:

Mënyra se si të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë, reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik, tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme. Dhe përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme.

Shperndaje në: