Departamenti amerikan i shtetit – Kosovës: Nuk i keni punët aq mirë!

Departamenti amerikan i shtetit, në raportin e tij të përvtshëm për të drejtat e njeriut, ka përmendë disa probleme, të cilat janë në Kosovë.

Shkrimi nga Zeri i Amerikes:

Raporti i përvitshëm për të drejtat e njeriut, thekson se qeveria ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje në shërbimet e sigurisë. Shumë përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile dhe medies besonin se zyrtarët e lartë ishin të përfshirë në korrupsion pa u ndëshkuar, përcjell Zëri i Amerikës.

Raporti konstaton se Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe prokurorët vendas kanë vazhduar të ndjekin rastet e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-99, ndërsa përshkruan rastet e pezullimit të hetimeve për shkak se kryesit e pretenduar janë “të panjohur”.

Raporti përfshinë edhe nismën e 22 dhjetorit të vitit 2017 të një grupi deputetësh për shfuqizimin e ligjit për themelimin e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. “Disa parlamentarë thanë se kanë vepruar nën udhëzimet e udhëheqësve politikë. Nisma u përmbys nën trysninë e disa udhëheqësve opozitarë dhe komunitetit ndërkombëtar, por mbështetësit vazhduan përpjekjet për shfuqizim deri në fund të vitit. Prokuroria e Posaçme nuk ka ngritur ndonjë akuzë deri në fund të vitit”.

Raporti përfshinë edhe të dhënat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar se edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 658 personave të zhdukur gjatë luftës. “Vëzhguesit pohojnë se rreth 70 për qind janë shqiptarë, ndërsa 30 për qind serb, rom, ashkali, egjiptas, boshnjak dhe malazez”.

Raporti përshkruan edhe gjendjen e burgjeve dhe qendrave të paraburgimit që sipas tij përmbushin disa standarde, por vazhdojnë problemet, në veçanti, mungesa e programeve rehabilituese, dhuna ndërmjet të burgosurve, korrupsioni, ekspozimi ndaj pikëpamjeve radikale fetare apo politike dhe kujdesi jo i duhur mjekësor.

Në raport përmenden edhe hetimet rreth vdekjes së veprimtarit të lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, në vitin 2016.

Ndonëse Kushtetuta ofron një drejtësi të pavarur, thuhet në raport, sipas Komisionit Evropian, Organizatave Joqeveritare dhe Avokatit të Popullit, administrata e drejtësisë ishte ngadalshme dhe nuk kishte mundësi për të kërkuar llogari nga zyrtarët gjyqësorë. Strukturat e drejtësisë ishin subjekt i ndërhyrjeve politike me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta. Gjykatat janë të ngarkuara me lëndë të pazgjidhura. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, gjykatat zgjidhën 170 mijë raste dhe morën 130 mijë raste të reja. Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 358 mijë e 135 raste civile dhe penale administrative dhe komerciale ishte në pritje deri në korrik. Përveç kësaj, 154 mijë e 596 vepra të vogla ishin në pritje të gjykimit.

Një mekanizëm për procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve është në fuqi, por ishte joefektiv. Autoritetet nganjëherë nuk arritën të zbatonin urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht vendimet që ishin në favor të pakicave.

Raporti përmend edhe zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nga tetori ka filluar integrimi i gjykatave në sistemin juridik të Kosovës.

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e shprehjes dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë, thuhet në raport, por njoftime të besueshme flasin se “disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe radikale fetare synuan të frikësonin përfaqësuesit e medies. Mediet hasën gjithashtu vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashihet me ligj”.

Vështirësitë financiare në rritje të medieve, thuhet në raport, vunë në rrezik pavarësinë editoriale. “Disa gazetarë hoqën dorë nga raportimet hulumtuese për shkak të frikës dhe pasigurisë në punë. Gazetarët, me raste pranuan përfitime financiare në shkëmbim të raportimit pozitiv apo heqjes dorë nga hulumtimet”.

Sipas raportit, gazetarët janë ankuar se pronarët e medieve i kanë penguar të publikojnë rrëfimet kritike për qeverinë, partitë politike apo zyrtarë të caktuar. Në disa raste pronarët i kërcënuan gazetarët me pushim nga puna nëse publikojnë raportime kritike. Gazetarët u ankuan po ashtu se janë penguar nga pronarët që të raportojnë për korrupsionin e nivelit të lartë.

Raporti vë në pah kufizimet në lirinë e lëvizjes të shkaktuara nga situata e tensionuar në veriun e Kosovës si dhe vështirësitë në kthimin e personave të zhvendosur.

Në raport theksohet se me gjithë pohimet për shpërbërjen e tyre, qeveria e Serbisë ka vazhduar të mbajë disa nga strukturat e saj paralele në komunat me shumicë serbe.

Aty theksohet se fushata për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2017 në veriun e Kosovës është përshkuar me frikësimin e kandidatëve që nuk ishin pjesë e Listës serbe.

Raporti thekson se qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjin që mundëson përndjekjen e zyrtarëve të përfshitë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz.

“Mungesa e mbikëqyrjes efektive të gjyqësorit dhe dobësitë e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit në mënyrë rutinore iu nënshtroheshin apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte ‘vjetrimin’ e lëndëve pa i trajtuar rastet”, shkruan express.

Raporti vë theksin edhe tek dhuna familjare dhe dënimet e pakta të autorëve të dhunës si dhe përpjekjet për të vendosur standardet në ndarjen e pronës. Po ashtu aty theksohet se relativisht pak gra mbajnë pozita drejtuese në biznese, polici apo në qeveri.

Raporti trajton edhe të dhënat për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, martesat e hershme dhe shfrytëzimin seksual të të miturve, përfshirjen e fëmijëve në punë të rënda fizike si dhe shkeljen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Shperndaje në: