Kosovarët s’i japin ‘5 pare’, vazhdojnë me hangër mish edhe mbas skandalit (foto)

Kosovarët kanë pasë mundësi të lexojnë për skandale të shumta me mishin muejin e fundit, mirëpo kjo gja s’ju ka ba aspak përshtypje, për të mos thanë hiq.

Shkrimi i plotë:

Kjo pasi, ndonëse nuk ka shifër zyrtare sa janë shitur për tryeza të qytetarëve, Kosova ka importuar vetëm 1 mijë kilogram më pak një muaj pas zbulimit të skandalit me mishin, shkruan gazetametro.net.

Metro ka komunikuar me Doganën e Kosovës, të cilët me anë të statistikave e kanë bërë të qartë që importi i mishit në Kosovë nuk ka pësuar ulje të madhe.

Sipas shifrave, 30 ditë para se të zbulohej skandali në Kosovë u futën 525 mijë e 929 kg mish, ndërkohë që për 30 ditë pas publikimit të skandalit, në Kosovë u futën 524 mijë e 833 kg mish.

Nga kjo sasi e konsiderueshme e mishit të blerë, vendi i cili prin në radhitje për eksport në Kosovë, është Brazili. Belgjika, ndërkaq, pas zbulimit të skandalit me mishin e prishur, nuk ka importuar asnjë kilogram mish gjedhi, por vetëm 22 mijë kg mish pule.

Mirëpo, vlen të theksohet se Kosova këto 31 ditë pas publikimit të artikujve për mishin e prishur, ka importuar mish edhe nga një shtet në zemër të Afrikës Jugore. Paraguaji ka sjell në Kosovë 3615 kg mish.

Ndërkaq, Kosova ka pasur rritje të përdorimit të mishit të pulës dhe produkteve të tjera. Ndonëse sasia e mishit të gjedhit nuk ka lëvizur, totali i mishit tjetër të hyrë në Kosovë ka pësuar lëvizje të ndjeshme.

Para se të zbulohej skandali me mishin e gjedhit, në Kosovë kishin hyrë 2 milionë e 551 mijë e 599 kg mish tjetër, ndërkohë pas skandalit kjo shifër shkoi në 2 milionë e 992 mijë e 766 kg.

Ndryshe, Metro kishte raportuar më 22 mars për skandalin me mishin e gjedhit në marketet ETC dhe Viva Fresh në Mitrovicë, ku u kapën 1.1 ton mish i prishur. Pas këtyre raportimeve, inspektoratet e tjera komunale u futën në punë dhe kapën tonelata mish pa afat. Mirëpo, ndonëse ky debat shkoi deri në Kuvend, importi i mishit nuk ka rënë.

Shperndaje në: