Thaçi për Vecernji List: Kosova dhe Kroacia kanë ba luftë mbrojtëse (foto)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në nji intervistë për të përditshmen prestigjioze kroate, Vecernji List ka folë për marrëdhaniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, perspektives europiane të Kosovës dhe marrëdhaniet me Serbinë.

Thaçi ka thanë se Kosova ka marrëdhanie të shkëlqyeshme me Kroacinë.

Shumëçka simbas tij, na lidhë, në të kaluemen e hidhun, Kosovën dhe Kroacinë.

 

 

Lexoni lajmin e plotë

 

“Pastaj, edhe ne edhe Kroacia kemi bë luftë mbrojtëse. Më në fund, jemi bërë shtete të pavarura. Ne i gëzohemi çdo përparimi të Kroacisë, që tash e saj vjet është pjesë e Paktit NATO dhe e BE-së. Besoj që së shpejti do t’i bashkohemi Kroacisë, në Paktin NATO dhe në BE”, ka shtuar ai.

Thaçi është pyetur edhe për përfaqësimin e kroatëve në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me këtë, ai ka thënë se do të bëhen ndryshimet e nevojshme Kushtetutës.

Duke folur për perspektivën evropiane, Thaçi për Vecernji List ka thënë se ajo është e ndërlidhur edhe me suksesin që do të ketë dialogu për normëzimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse mund të negociojë me presidentin serb, Alexander Vuçiq, i cili sipas gazetës gjithmonë nxit tensione, Thaçi ka thënë se koha e konflikteve, përplasjeve dhe e tensioneve, në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të marrin fund.

“Në anën tjetër, çështja e Kosovës është zgjidhur, një herë e përgjithmonë, me Misionin e udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari, në vitet 2005, 2007. Kosova është shtet i pavarur. Serbët në Kosovë, si komunitet pakicë, kanë të drejtat e garantuara që janë të veçanta, të pakrahasueshme me ndonjë tjetër komunitet pakicë në Evropë”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është detyrë e këtij brezi, është obligim ndaj qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi, është kusht themelor që Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE.

Për të përditshmen kroate, Thaçi ka thënë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në OKB.

“Kjo Marrëveshje dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të ishte lejekalimi i Kosovës për anëtarësim të plotë të Kosovës në OKB”, ka shtuar ai.

Ai është pyetur edhe për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me këtë rast, Thaçi ka thënë se Kosova i qëndron besnik të gjitha detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Marrëveshjes së Parë midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar me 19 prill, 2013.

“Pak ditë më parë, ne jemi dakorduar që Ekipi Menaxherial, të nisë draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, natyrisht, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, dhe me lehtësimin e ofruar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

“Ndryshe, Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të formohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Ligjet e Kosovës dhe Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka paralajmëruar Thaçi.

Sipas tij, ky nuk është vetëm qëndrim i palës kosovare, por edhe Zyra e Përfaqësueses së lartë, Zonjës Mogherini, ka bërë me dije në disa raste, edhe pak ditë më parë, që kjo do të jetë korniza legale për themelimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë nivel i tretë i pushtetit dhe as nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, dhe as nuk mund të jetë bazë për krijimin e një entiteti të veçantë politik serb në Kosovë”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi për “Vecernji List” ka folur edhe për domosdoshmërinë e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Sipas tij, për këtë ka një konsensus në Kosovë, dhe midis nesh dhe Paktit NATO.

“Çështja është si do ta bëjmë transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, në Forcat e Armatosura të Kosovës: Me ndryshimin e Kushtetutës, apo me amandementimin e Ligjit për FSK-në”, ka shtuar ai.

 

 

Shperndaje në: