Korrik refugjatësh e botërori
Autorja drejton shtëpinë botuese "Mitrush Kuteli", si një nga trashëgimtarët e veprës së shkrimtarit Dhimitër Pasko. Në kohën kur mbahej ky ditar, ajo punonte regjisore montazhi në Kinostudion "Shqipëria e Re"
Shkruen: Atalanta Pasko
Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga një dritare pranë mureve të ambasadave
Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit të ashpër të makinës së diktaturës mbi ata që guxonin të shprehnin kundërshtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti ynë lejoi kapërcimin e mureve të ambasadave dhe deri te dalja e refugjatëve nga vendi
Tashmë 20 vite kanë shkuar nga hyrja masive e njerëzve në ambasadat e huaja në Tiranë, sidomos në atë gjermane dhe italiane, dhe ngjarjet kanë filluar të mjegullohen.
Ishin ditë kur askush s'mund të merrte me mend se ç'do të sillte e nesërmja dhe vetëm një gjë dihej me siguri: Muri i Berlinit kishte rënë, ishte shembur dhe gjithë perandoria e Lindjes, ndërsa vendet e ish-kampit socialist të Europës kishin kaluar të gjitha nga monopartitizmi, në sistemin politik pluralist.
Kishim mbetur vetëm ne që vazhdonim të përpëliteshim në ngushticën e botës sonë, të izoluar, të mbuluar nga terri i mungesës së informacionit. Media zyrtare bënte sikur asgjë s'po ndodhte në vend dhe mundohej të mbulonte ngjarjet e jashtëzakonshme, me propagandë dhe dezinformim.
Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit të ashpër të makinës së diktaturës mbi ata që guxonin të shprehnin kundërshtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti ynë lejoi kapërcimin e mureve të ambasadave dhe deri te dalja e refugjatëve nga vendi, të mbrojtur nga diplomacia e këtyre shteteve, kaluan dy javë shpresash për ndryshim dhe zhgënjimesh, fjalësh të përhapura gojë më gojë e përgënjeshtrimesh.
Më pas, "e djathta" akuzoi shtetin e Partisë së Punës se me ngjarjet e 2 korrikut kishte dashur të zhvlerësonte ato që ndodhnin ndërkohë në Kosovë dhe pikërisht miratimin e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, që më 2 korrik 1990 e shpalli Kosovën njësi të veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave, hap i domosdoshëm para shpalljes së pavarësisë.
Për të plotësuar njohuritë mbi atmosferën e asaj kohe mbase do shërbenin dhe këto shënime të mbajtura pikërisht në ato ditë të nxehta korriku.
E hënë, 2 korrik 1990, ora 23
Me sa duket, korriku i sivjetëm po vjen me ngjarje të mëdha. Dje dhe sot kam parë (nga dritarja) gjëra që do të kisha dëshirë t'i ruaja në kujtesë siç i kam tani. Prandaj po ulem t'i shënoj, në këtë kohë që më mbetet nga punët e nga Botërori i futbollit.
Mbrëmë, në ditën e parë të korrikut, në orën 22:20, në kohën e dytë të ndeshjes Angli-Kamerun, papritur, afër fare dëgjohet një e shtënë revolveri. Pas saj, të shtëna të tjera që vijnë nga muri i prapmë i Ambasadës Gjermane. Ngre perden e dritares së dhomës dhe shikoj nëpër errësirë civilë të alarmuar që vrapojnë në rrugicë në drejtim të "murit gjerman".
Nga dritarja e aneksit, ku im shoq, Gjergji, po pi cigare, shikoj tjetër gjë: brenda oborrit të ambasadës, disa të rinj, mes të cilëve një vajzë me flokë të gjatë e të drejtë, ngjitin me vrap shkallët e verandës së "gjermanëve" dhe zhduken pas një dere. Drita e verandës, që kish qenë e ndezur, u fik.
Pas pak sekondash, ngjitin shkallët edhe dy të tjerë, që mbajnë për krahësh një të tretë. Ky duket si i plagosur. Bashkë me ta u zhdukën pas derës dhe gjermanët, që, siç më tha Gjergji, kishin qenë duke parë ndeshjen në verandë.
Ç'kishte ndodhur?
Një kamion rrangallë kishte ardhur me ngut nga Rruga Gjon Muzaka dhe ishte përplasur me murin gjerman, por s'e kish shembur dot. Nja 10-15 të rinj që u fol se kishin qenë të shtrirë mbi mbulesën e karrocerisë, ishin hedhur brenda murit, bashkë me shoferin të cilin, siç thanë, e kish plagosur polici-roje i murit. Të tjerët s'merret vesh ç'u bënë. Ca thonë i kapën, ca thonë ikën.
Sot në mëngjes, më 2 korrik, në punë (Kinostudio) mësova për një grup njerëzish që kishin hyrë në ambasadën turke me makinën e plehrave. Të tjerë thanë për ca dasmorë, që, si kishin mbaruar dasmën, kishin hyrë po në ambasadën turke. Me sa duket ishte e njëjta ngjarje...
Pasdite, rreth orës 19.10, ndërsa po bëheshim gati për të dalë nga shtëpia, u dëgjua papritur një zhurmë e fortë: diçka u përplas, diçka u shemb, pastaj një frenim makine dhe një heshtje e tmerrshme.
Vetëm pak sekonda heshtje, pastaj një o-o-o e gjatë gëzimi. Disa njerëz ngjitën me vrap shkallët e prapme të Ambasadës Gjermane, pastaj qëndruan te parmakët e verandës të përshëndesnin ata që i shikonin nga dritaret e shtëpive përreth, si dhe turmën që u grumbullua sakaq pranë ndërtesës së lagjes 9. Kjo turmë që mezi e përmbanin policët, duke mos mundur të bëjë gjë tjetër, shpërtheu në duartrokitje për t'iu përgjigjur atyre të verandës.
I shikoja të gjitha këto nga dritarja e aneksit, me Anën pothuaj tre vjeçe në krah, me sy të përlotur e me ngashërime.
Po përse me ngashërime? Mbase nga rreziku i madh që u ishte kanosur njerëzve... Apo nga që dikush kish marrë, më në fund, guximin për të vepruar kundër rregullave të rrepta të shtetit, që ende mundohet të na mbushë mendjen (me zor), se më mirë se sa ne, s'jeton askush në botë.
Pas pak dola dhe pashë nga afër vendin: makina kish hyrë e tëra brenda murit të ambasadës, pasi kish marrë përpara një grumbull hekurishtesh që policia (?) i kish vënë për të bllokuar rrugën.
(Çuditërisht, Rruga Gjon Muzaka nuk kishte qenë e zënë nga ai Zisi i vjetër, që prej disa ditësh ishte vënë tërthor disa metra larg murit të Ambasadës Gjermane, as mbrëmë, as sot!)
Në makinë u tha se kishin qenë mbi 30 vetë, jo vetëm të rinj, po edhe burra e gra me fëmijë.
Thanë edhe se këta kishin qenë të shoqëruar nga një dash, që shpreson të bëhet meze para se të arrijë në Gjermani (flitet se është nata e Kurban Bajramit).
Kur dolëm në rrugën e Kavajës (të tre: Gjergji, Ana dhe unë), për shëtitjen e pasdites, pamë një turmë të madhe kureshtarësh që policët s'i linin të hynin në Rrugën Skënderbej (rruga ku ndodhen ambasadat).
Xhiroja që bëhet zakonisht në Bulevardin e madh, është zhvendosur në Rrugën e Kavajës (e cila zyrtarisht duhet të quhet Konferenca e Pezës). Njerëzit kanë një dritë të veçantë në fytyrë. U xixëllojnë sytë.
Sa shumë ndryshojnë këta sy nga sytë e asaj gruas së moshuar pranë lagjes 9, që akuzonte sot policët se përse ata "lejojnë njerëzit të shikojnë e të gëzohen" për ata të tjerët që çanë murin e ambasadës. Kthehemi në shtëpi shpejt, rreth orës 20:30.
Kemi marrë vesh për një makinë tjetër që ka hyrë sot, nga darka, në Ambasadën Italiane. E para hyri nja dy javë të shkuara, e ngarkuar me 5-6 vetë. E sotmja thanë se kish pasur nja 15 vetë.
Serinë e makinave që sulmojnë muret e ambasadave e hapi një autobus fizarmonikë, nga ata të Shkodrës, që puthi murin e Ambasadës Greke para tri javësh, një mëngjes rreth orës 8:15.
Ky kish brenda vetëm dy vetë (njëri ishte shoferi, që pasi e solli autobusin me shpejtësi deri tek muri grek, duke kaluar nëpër Rrugën Frederik Shiroka ku nuk kalon ndonjë linjë autobusi, ndaloi po me aq vrull, me të prekur murin. Pastaj, bashkë me shokun e tij, kërcyen në pak sekonda murin grek, pasi hipën mbi autobus nga një baxho që hapej pothuaj mbi vendin e shoferit.
Kur ktheheshim në shtëpi, pashë se gazi i policisë që prej disa ditësh bllokon Rrugën Frederik Shiroka, i vendosur për së gjeri në mes të saj, sonte ishte zhvendosur pranë pallatit 4-katësh përballë Ambasadës Greke, duke e lënë rrugën të lirë. Kjo i bëri përshtypje edhe Gjergjit, por s'patëm kohë të komentonim gjatë. Rreth orës 21:30, kur po ushqeja Anën, dëgjojmë një zhurmë e një rrëmujë të madhe.
Hapim perden dhe shikojmë murin e ambasadës greke të prishur nga një Skodë që i ka hyrë tërthor dhe tani rri mes pluhurit duman, e ndarë për së gjati: gjysma e djathtë në Greqi, gjysma e majtë në Shqipëri. Nga karroceria e makinës hidhen 10-15 vetë në Greqi, i sulen ndërtesës më të afërt nga tri vilat e ambasadës, i bien me forcë derës metalike, pak metra larg murit.
S'di se pse njëri, në vend të hidhej në Greqi, ra në Shqipëri (mbase e tërhoqi ndokush nga "rojet e murit"). Ai vrapoi drejt errësirës përmes ca barishteve të larta në një fushë të lënë djerrë, prapa pallatit tonë.
E ndiqte një polic civil, që, duke vrapuar e shante rëndë nga nëna... Mbase po të mos kishte harxhuar energji për të sharë, do ta kish arritur. Për fat të mirë ndodhi kështu e jo ndryshe: polici vrapo e shaj, djaloshi vetëm vrapo (e quaj kështu nga vrapi që bënte, se të gjitha këto ndodhën kaq shpejt, pastaj ka rënë muzgu dhe fytyrat nuk dallohen mirë).
Përballë murit të prishur grumbullohen njerëz që shikojnë të heshtur ç'po ndodh 10 metra më tutje. Shikojnë, siç shikohet një film, me solemnitetin që krijon distanca nga ekrani, ku luajnë aktorët...
Selimeja, me cigare në dorë, kërkon e tmerruar djalin e saj të vetëm, 27-vjeçar, baba i tre fëmijëve. Lëviz mes njerëzve me emrin e të birit në gojë dhe nuk e vë re që ndodhet rreth tre metra më tutje. Ai vetë është kredhur në mendime dhe nuk ka nge t'i përgjigjet...
Papritur, turma gjallërohet: disa çunakë thërrasin, bëhen bashkë o-o-op, kërcejnë papritur përtej murit të rrëzuar dhe policët kapen në befasi dhe s'arrijnë t'i ndalojnë. Atëhere policë e civilë bashkë shtyjnë njerëzit që t'i largojnë nga muri. Këta, të inatosur, prapsen rreth 20-30 metra derisa ndeshin në dy grumbuj me gurë e tulla, ku po ndërtohet një shtëpi buzë rrugës.
Gurët e tullat bëhen armë dhe civilë e policë vrapojnë megjithë shkopinj në duar e mundohen të fshihen të gjithë pas një shtylle betoni. Bashkë me gurët e tullat, fluturojnë nga të dy drejtimet edhe shumë sharje të ndyra.
Sapo qetësohet gjendja (kureshtarët largohen njëri pas tjetrit), vjen një polic me vrap: "Shpejt, nga ana tjetër!"
Nga ana tjetër, do të thotë te Rruga Gjon Muzaka, që mbyllet nga muri i Ambasadës Gjermane, i çarë para dy orësh. Sakaq plasin dhe krismat, një luftë e vërtetë. Grumbulli që policët kishin larguar nga muri grek, i është sulur murit gjerman.
Fqinjët thonë se disa e kaluan, disa u kapën, të tjerët u trembën e ikën. Gjermanët dalin në verandë e thërrasin: "Nicht, nicht", që ne e kuptojmë "mos qëlloni".
Zhurma është shumë e madhe, po kështu edhe frika jonë.
Nga vendi ku zhvillohet kjo ngjarje na ndan kopshti i një shtëpie të vogël. Na vjen sikur do të na hyjë ndonjë plumb nëpër dritare. Një oshëtimë disi e largët, por e frikshme, vjen nga Rruga Skënderbej dhe nga Rruga e Kavajës.
Ana trembet, s'do të hajë. Do vetëm të flejë. Thotë që nuk i do zhurmat. Flitet se turma që sapo u shpërnda, do të vijë përsëri. Pranë mureve të ambasadave sjellin përforcime: policë, civilë, mbase sampistë, gardistë. Bashkë me ta ruajnë edhe tre qen të mëdhenj...
Nata qetësohet.
Bëjnë pak zhurmë vetëm gjermanët, që siç më thotë Gjergji, po e ndërtojnë vetë murin e tyre. Njerëzit që ruajnë pranë pallatit tonë (rreth 20), bisedojnë me zë të ulët. Qentë janë të shqetësuar.
Edhe dashi i Ambasadës Gjermane. Edhe unë që po shkruaj këto radhë, ulur përdhe. Pesë orë rresht në një pikë të aneksit ku s'mund të më shikojnë edhe sikur të ngjiten në dritare. Po kush? Policët? Përse???
Mani persekutimi, apo kujdes prej maniaku?
Qielli u zbardh. Makina murthyese ka mbetur me drita ndezur, e ndarë mes Shqipërisë e Greqisë.
Flitet se sot (e martë, 3 korrik), do të vijnë njerëz nga Shkodra. Të gjitha rrugicat që çojnë në muret e ambasadave janë mbushur plot policë. Lejohen të kalojnë vetëm ata që kanë shtëpitë aty.
Policët qëndrojnë tre nga tre e shoqërohen edhe nga civilë.
Në punë më presin me padurim që t'u tregoj ç'kam parë nga dritaret e shtëpisë. Mësoj edhe unë ato që kanë parë apo kanë dëgjuar të tjerët. Ajo që më bën më shumë përshtypje është sulmi i sampistëve mbrëmë mbi njerëzit në rrugën e Kavajës. Prandaj vinte deri te ne ajo oshëtimë e largët.
Njerëzit që thërrisnin "o burra, trima shqiptarë" ishin sulmuar nga sampistët e sjellë aty me makina ushtarake. Thanë se këta sampistë kishin qenë të pajisur me mburoja e me pistoleta të vogla, të gjelbra, me korrent, që i paralizonin njerëzit. Siç tregohej, ata që mbeteshin shtrirë e nuk iknin dot me vrap, i ngarkonin nëpër makina.
Flitej se ndaj të gdhirë kish pasur kontrolle nëpër shtëpitë e rrugës së Kavajës për të zbuluar nëse atje kishin qëndruar mysafirë gjatë natës.
U kontrolluan e u numëruan edhe pjatat e palara. Në rrugë, në autobus, në punë, s'ka asnjë temë tjetër. Po përmendet dhe Mali me Gropa, se thonë që atje i kanë çuar.
Gjatë ditës, pranë Stabilimentit janë grumbulluar kaq shumë njerëz, sa të duket sikur je në miting. Shumë të rinj, shumë policë, shumë spiunë.
Këta të fundit janë të mobilizuar në gradën më të lartë të devocionit, ndjekin me biçikleta njerëzit që i dyshojnë, duan të zbulojnë "krerët". Në asnjë mënyrë s'mund të heqin dorë nga teoria e konspiracionit imperialist, që kërkon të turbullojë këtë parajsën tonë tokësore... Por me të filluar ndeshja Argjentinë-Itali, rruga pothuaj boshatiset. Kamionët mbledhin policët e qëndrojnë në gatishmëri.
Të dyja rrugicat që çojnë te shtëpia jonë janë të bllokuara për automjetet, njëra me një kamion të madh me karroceri të mbuluar, tjetra me një makinë-vinç. Sa fillon koha shtesë e ndeshjes, dëgjohet një krismë e fortë, po s'marrim dot vesh se ç'ka ndodhur.
Në mbrëmje, pranë Bankës, një numër i madh të rinjsh mbanin "rrethuar" një makinë policie. Qëndronin në distancë dhe i bënin "karshillëk" me krahë të kryqëzuar, në heshtje.
Në mëngjesin e 4 korrikut, që në orën 5:30, pranë murit të Ambasadës Greke afrohen dy gra. Bisedojnë me policët me zë të lartë.
Tani muret ruhen fort, në dy-tre metra një polic, me shkop në dorë. Siç kuptohet, njërës nga gratë i ka hyrë djali në Ambasadën Gjermane. Pas dy të parave, vijnë edhe gra të tjera. Ngjiten në shkallët e pallatit tonë dhe thërrasin fëmijët.
Ndjehet një gjë jo e natyrshme në sjelljen e tyre. Kur shkoj në punë mësoj se nëpër ndërmarrje janë bërë mbledhje dhe janë vënë para përgjegjësisë familjet e njerëzve që hynë nëpër ambasada.
(Qeverisë sonë iu hapën këto avaze fill mbasi ndryshoi ligji dhe arratisja nuk quhet më tradhti ndaj atdheut. Deri tani njerëzit kishin ruajtur jo vetëm veten, po edhe familjen e të afërmit, që do ndëshkoheshin rëndë për shkak të tyre).
Krisma e mbrëmshme ishte shkaktuar nga një bombë rudimentare që s'dihet kush e kishte vënë në oborrin e Ambasadës Kubane. Zhurmë e madhe, por vetëm xhame të thyera.
Kjo është ambasada që ia dorëzoi qeverisë sonë njerëzit e hyrë nga muret. Banorët e pallateve aty pranë ishin tmerruar nga mënyra se si policia kërkonte fajtorët. Në shumë shtëpi kishte pasur mysafirë që kishin shkuar për të parë ndeshjen së bashku.
Çdo njeri që nuk ndodhej në shtëpinë e vet, për policinë ishte i dyshimtë. Me automatikë në duar ata qëndronin nëpër hyrjet e pallateve dhe pengonin daljen e njerëzve që kërkonin të shkonin në shtëpitë e tyre.
Të gjithë kishin frikë mos përsëritej ajo që kish ndodhur një natë më parë në rrugën e Kavajës. I lanë të largoheshin pas mesnate, pasi u kishin marrë adresat dhe numrin e pasaportës.
Në mbrëmje, kur po kalonim nga Sheshi "Skënderbej" për t'u kthyer në shtëpi, të tre mbi një biçikletë, dëgjuam tri krisma të forta një pas një, që vinin nga hyrja e Rrugës së Durrësit.
Njerëzit u nisën vrap të shihnin se ç'kish ndodhur, mbase dhe me dëshirën që diçka të kish ndodhur... Kishte plasur një gomë biçiklete. (Për këtë gomë folëm më pas edhe në punë.) S'mbetet zhurmë pa u regjistruar. Të gjithë presin, por askush nuk e di se çfarë...
Pjesa e Dyte
Kapërcimi i murit gjerman
Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga një dritare pranë mureve të ambasadave: Ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra, për tri paketa "Partizani", një orë elektronike
Mëngjesi i 5 korrikut (e enjte), gdhiu si gjithnjë, me rrugët të bllokuara e me policët në gatishmëri. Dy rrugicat që çojnë tek muret e Ambasadës Greke tani janë zënë jo me makina, por me dy kolona të mëdha betoni, rreth 60 cm të larta, që do t'i kenë marrë nga ndonjë ndërtesë e prishur.
Që të kalosh duhet ose t'i kapërcesh (disi e vështirë, sidomos po të jesh ngarkuar me trajsta), ose të prekësh muret e shtëpive anash.
Aty afër drekës, një gjë e çuditshme: pjesa e rrugicës Justin Godar nga Rruga Frederik Shiroka deri tek muri i Ambasadës Gjermane, "hapet" (d.m.th. largohen policët që deri tani s'lejonin të afrohej njeri).
Mbeten vetëm nja dy policë tek hyrja e Ambasadës Greke. Dy çuna të rinj, pasi flasin diçka me njërin polic, nisen drejt rrugicës së ngushtë që mbyllet nga muri i Ambasadës Gjermane dhe kalojnë përtej.
Polici s'bën as orvatjen më të vogël për t'i ndaluar. Pas tyre nisen dy-tre të tjerë, që sikur mbijnë nga dheu, pastaj të tjerë e të tjerë. Hipin tek muri i ulët i një oborri, pastaj vënë këmbën tek një çati furriku pulash, që aty tek muri gjerman e më pas hidhen poshtë e bien drejt e në Gjermani.
Krijohet, sa mbyll e hap sytë, turma e kureshtarëve që sa vjen e rritet.
Njerëzit që vijnë për të kaluar përtej, futen një herë mes turmës, shikojnë se si kalojnë të tjerët, sigurohen që me gjithë mend mund të kalohet, pastaj, si rastësisht, shkëputen nga turma dhe rruga të çon vetë në Gjermani. Ka edhe shumë çifte që i afrohen murit të kapur dorë për dore.
Dalin tek dera disa punonjës të ambasadës greke, shikojnë, qeshin. Në mes të turmës së kureshtarëve ka edhe dy-tre policë. Kuptohet, sot kanë marrë urdhra të tjera. Duket sikur s'janë ata që para një dite bëheshin si të çmendur kur ndokush i afrohej sadopak territorit të ndaluar, apo edhe kur vetëm hidhte sytë andej.
Mureve të ambasadës gjermane kacavirren përherë e më shumë njerëz. Ngjiten jo vetëm këtej, nga Rruga "Frederik Shiroka", po edhe nga dy pika të tjera, te rrugëzat Gjon Muzaka e Xhezmi Delli, ndërsa dera në rrugën Skënderbej është e mbyllur, por mund të hysh nëse je i zoti t'u kacavirresh kangjellave...
Në përgjithësi hyjnë të rinj, por ka edhe burra e gra që vijnë bashkë me fëmijët. Tok me të tjerët iku dhe ndihmës bojaxhiu që po lyente shtëpinë e fqinjës përballë apartamentit tonë, ndërsa vetë mjeshtri qëndroi dhe vazhdoi të lyente pa ndihmës.
Në krye të shkallëve të Ambasadës Gjermane dalin tre nëpunës. Njëri zbret dhe pas pak vjen përballë hyrjes së Ambasadës Greke, shikon prapa pallatit 4-katësh atë sheshin djerrë, plot barishte, të mbyllur nga tri anë, përballë murit të Ambasadës Greke. Duart i mban në xhepat e pantallonave mjaft të gjëra. I ndritin faqet dhe kravata e kuqe. Është i pakët e ngjan me një Hitler të ri.
Edhe flokët i mban si modeli i tij paraardhës, po ashtu mustaqet. Ngjitet mbi një si bregore të vogël përballë hyrjes së ambasadës greke, shikon sa shikon, pastaj largohet pa folur me njeri.
Dalloj Eva Pëllumbin që i afrohet murit, me vajzën për dore e me një qese të vogël në dorën tjetër.
Një 12-13 vjeçare nxiton. "Prit", i thërresin nga turma "ku shkon, je e vogël!". Por ajo s'ndalon, përgjigjet duke ecur: "Më thërret vëllai", - dhe tregon me dorë Ambasadën Gjermane.
Një grua e re tepër-tepër e shëndoshë vjen rrotull, bisedon me tre burra që e shoqërojnë, më në fund vendos: i afrohet murit, ata e ndihmojnë dhe ngjitet e hidhet matanë. Disa vijnë me biçikleta, i braktisin rrëzë pallatit tonë, pastaj çajnë përpara drejt murit gjerman.
Policët s'ndalojnë njeri, vetëm u flasin atyre që rrinë për të parë: "Ju lutem largohuni. Kush të dojë, mund të hyjë, këtu mos rrini, na pengoni..." S'arrij të kuptoj përse pengohet ky polic, por s'kam kë të pyes...
Drekën e hamë vonë. Nesër do të lyejmë shtëpinë. Pa u ngritur nga tryeza, troket dera. Hyjnë një polic e një civil. Polici, fytyrë e njohur, nga këta që ruajnë murin (mendojmë se duan ujë, shpesh na trokasin policët në këto ditë të nxehta). Ata na kërkojnë ndjesë për shqetësimin dhe i afrohen dritares.
Befas, civili i veshur me xhaketë, nxjerr një kamera të vogël që e mbante nën sqetull, brenda xhaketës dhe kërkon të filmojë ata që kalojnë murin. Kamera më duket e përsosur...
Shikohemi sy në sy me Gjergjin. Me siguri edhe ai mendon si unë, që këtë s'duhet ta lejojmë të bëhet nga shtëpia jonë. Por s'qe nevoja për asnjë reagim: pa kaluar një minutë, ata e kuptojnë që vendi s'ishte i përshtatshëm dhe se duhej një pikë më ballore. Kur dalin, marrim frymë të lehtësuar.
Sa bie nata rrugët e rrugicat bllokohen, patrullat e policëve s'lënë të kalojë as miza. Jo vetëm për të hyrë, por çuditërisht as për të dalë. Ne që duam të dalim nga zona, se do flemë tek Mamaja, meqë shtëpinë e kemi bërë gati për ta lyer, s'na lënë të dalim...
Kudo policët na thonë se atje ku ruajnë ata s'lejohet kalimi dhe na dërgojnë në pikat e tjera, por edhe atje ka policë të tjerë dhe përsëritet e njëjta gjë. Më në fund arrijmë tek unaza, përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, por sërish një patrullë. Na kërkojnë pasaportat, por nuk i shikojnë. Na pyesin vetëm nëse jemi nga Tirana dhe më në fund arrijmë të dalim nga rrethimi.
Kur kthehem në shtëpi (të premten në mëngjes) shikoj se ndryshe nga mëngjesi i kaluar, një pjesë e rrugicave kanë mbetur të bllokuara. Megjithatë, rruga "për në Gjermani" nuk është krejt e mbyllur. Njerëzit lejohen të hyjnë, por vetëm nga Rruga "Gjon Muzaka". Shikoj që kalojnë aty vargje njerëzish - burra, gra e fëmijë duken nga rrethet, me shumë, shumë trajsta...
Rruga e Kavajës është plot me policë e ushtarë. Në trotuare seç po hapin ca gropa. Ushtarët rrinë gatitu me lopata të vogla të xhenios në brez (thonë se këto i kanë për armë, që "armikun" të mos e vrasin, por vetëm ta pengojnë).
Është paradite jave, megjithatë në rrugë ka shumë njerëz, më shumë se në një pasdite të diel. Policët rrinë katër nga katër në çdo dhjetë metra. Ka edhe shumë civilë, me shirita të kuq krahut, të ashpër, të egërsuar, të frikësuar. Urbani s'ndalon më as te Kisha katolike, as te stabilimenti.
Në Rrugën e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit, 50 metra para dhe pas pikave të takimit me Rrugën Skënderbej ushtarët kanë gjelbëruar trotuaret, duke qëndruar ngjitur pas njëri-tjetrit, vende-vende edhe në dy rreshta. Nuk krijojnë gardh, po mur. Për të hyrë te ushqimorja në Rrugën e Durrësit, duhet të kalosh nëpër një rrugicë të blertë ushtarësh me lopata brezit.
Në zonën "e ndaluar", qetësi. Dy-tre policë, tre katër civilë.
Sot (është e shtunë), rreth e rrotull Ambasadës Gjermane fryn një erë alarmi. E përhapin vetë policët që s'lënë të lëvizin as banorët e lagjes.
Anës i janë shfaqur puçrat dhe e skuqura e fruthit, por mjeku nuk sillet dot deri te shtëpia jonë. Bëhem ndërmjetës, vizita bëhet me korrespondencë, për fat e kam kaluar këtë sëmundje kur isha 20 vjeç dhe mbaj mend disa gjëra...
Policët thonë se do hyjnë t'i nxjerrin "refugjatët" nga ambasada. Presim me ankth se ç'do të ndodhë. "Refugjatët" rrinë të qetë majë mureve (për të parë se ç'ndodh në Atdheun nga i cili mezi presin të largohen).
Ata u bënë të parët banorë të shtëpisë së posandërtuar të ambasadorit, brenda selisë së Ambasadës së Gjermanisë Perëndimore (u nis si e tillë dhe përfundoi si Ambasadë e Gjermanisë së ribashkuar). Nga sa thonë vetë "refugjatët", ata presin vetëm t'u bëhen gati pasaportat e të nisen për në Gjermani. Me siguri s'dinë gjë për ato që fliten jashtë mureve...
Ndërkaq ne nuk zëmë dot punë me dorë. Mbetemi dritareve duke pirë duhan. Thonë se "sulmi" mbi ambasadë do të bëhet kur të fillojë ndeshja Itali-Angli. Ndeshja fillon e mbaron dhe për fat nuk ndodh asgjë.
Nga ora një e natës dëgjohet një gurgule e madhe brenda mureve. Bërtasin: bjeri, mor zagarit!.. shtypja kokën!.. me tullë, mor me tullë!.. Në gurgule përzjehen përherë e më shumë zëra. Pastaj platiten. Mendojmë se do jetë zbuluar ndonjë "spiun".
S'ka gjumë as brenda, as jashtë mureve. Ndjehet frymëmarrja e një turme shumë të madhe.
Dëgjohen të kollitura (nata është e freskët), por mund ta kenë edhe nga duhani. Herë pas here edhe të qara fëmijësh. Thonë se ambasadat që kanë pritur "refugjatë" u kanë kërkuar shteteve të tyre ushqime dhe mbulesa për të fjetur, por shteti ynë s'i ka lejuar avionët të ulen.
Erdhi e diela. Ata nga brenda mureve thonë se do t'i nisin të hënën. Policët shtohen, po ashtu dhe ushtarët.
Kudo nëpër rrugë ka makina ushtarake. Që të vish në shtëpi, duhet t'i biesh rreth e rrotull nëpër diell, të kalosh nëpër disa postblloqe ku mund të të kontrollojnë edhe çantën, madje edhe sasinë e ushqimeve që çon në shtëpinë tënde (nga frika se mos shkojnë për ata brenda mureve të ambasadës).
Ndërkaq, këta kanë filluar të komunikojnë me të afërmit, kur mundin, nga tarraca e pallatit tonë (që është mjaft afër) dhe nga një pallat tjetër, shumë më larg.
S'arrij ta përfytyroj se si mund të merren vesh, por që nga muret dërgojnë të fala për gjysh e për gjyshe, kërkojnë që dikush të kujdeset për kanarinën...
Përsëri flitet se policët mund të sulmojnë. Ndërkaq, ata brenda ambasadës kanë nevojë për veshje, ujë, cigare... Për një shishe ujë japin 1000 lekë të vjetra (e tmerrshme, një të pestën ose një të gjashtën e një rroge mesatare!) për tri paketa "Partizani", një orë elektronike, për të sjellë e për të futur brenda mureve gruan dhe fëmijët që presin përtej, 40 000 lekë të vjetra.
Policët e ushtarët grinden me njëri-tjetrin për të zënë atë pjesë muri brenda një shtëpie private, ku mund të bëhen pazaret mes ruajtësve dhe të ruajturve, pa rënë në sy.
Më në fund, finalja e botërorit, Gjermani-Argjentinë. Britma e tifozllëk mijëra-zërash për skuadrën gjermane, si në stadium. Sa mbaron, shpërthejnë brohoritjet "Dojçland! Dojçland!". Pastaj "Liri-Demokraci!" Me sa kuptohet u ka hipur të dalin "për miting" në Rrugën Skënderbej. Policët vrapojnë të shqetësuar.
Dalëngadalë zërat pushojnë, por refugjatët nuk flenë. Disa rrinë deri vonë më këmbë, majë mureve të Ambasadës Gjermane dhe në murin që ndan këtë nga ambasada greke. Shumë të tjerë rrinë në ballkonin e shtëpisë së ambasadorit, në parvaz, me këmbët varur përjashta, apo ulur në parvazet e dritareve.
Duken si të lodhur, mbase nga pritja, mbase nga kushtet e vështira, por sidoqoftë, mbahen mjaft mirë. Kanë filluar edhe të lajnë veshjet, që i ndejnë për t'u tharë në parvazet e ballkonit dhe në disa tela mbi garazhin e Ambasadës Greke. Herë pas here mblidhen dhe dikush u flet shqip, por s'e kuptojmë për çfarë bëhet fjalë.
Dëgjohen qartë vetëm brohoritjet për demokracinë dhe kundër diktaturës. Nëpër Tiranë po qarkullojnë fjalë se "gjermani u ka bërë gjilpëra djemve tanë e ata janë shushatur", "janë bërë si qentë, hiqen zvarrë", "njerëzit e familjes u flasin, por ata veç i shikojnë në sy, si budallenj..." Kështu thoshte sot e sigurt edhe një plakë në autobus.
Në Kinostudio mësoj se rebeli i përhershëm, Ilir Demalia, që ka hyrë në Ambasadën Gjermane, i mbledh "vëllezërit shqiptarë" dhe i këshillon të sillen në mënyrë të qytetëruar, pasi tashmë ndodhen "në tokë të huaj".
Ne i shikojmë me respekt e dhembshuri, dhe me pak keqardhje se vendosën të largohen tani kur këtu gjërat po ndryshojnë. Megjithëse vetë këta refugjatë mbase janë pjesë e ndryshimit, ne as që na shkon mendja të hyjmë në ambasadë.
"S'kemi ç'bëjmë, çupë, edhe im atë, edhe yt atë, janë treguar budallenj" - bën shaka im shoq, duke nënkuptuar faktin se i ati, dëshmor, ish vrarë më 1944 nga pushtuesit nazistë, ndërsa im atë ishte konfliktuar po me ata për çështje të monedhës, si ekonomist kur ishte konsulent në Bankë.
E vërteta është se asnjërit nga ne nuk i vjen për mbarë të lërë pas çdo gjë që kemi këtu, të fillojmë një jetë të re... ndonëse do ta kishim aq të lehtë, deri në momentin e fundit dhe ndonëse ai ka studjuar në Gjermaninë Lindore dhe flet gjermanisht...
E enjte, vjen më në fund dhe nata e nisjes. Të gjithë kanë dalë në oborrin e pasëm të ambasadës dhe dikush lexon emrat. Listat janë 200-vetëshe. Fillojnë me Albana, Arben, Artan, mbarojnë me Ylli, Zamir, Zana. S'di se sa lista u lexuan, por kam përshtypjen se ishin më se 15 lista. Mes tyre dhe shumë mbiemra të njohur.
Njerëzit dalin nga hyrja kryesore dhe hipin në autobusët që i presin te Rruga Skënderbej. Tek Ambasada Greke vetëm një autobus, ku hipin nja 7-8 vetë. Me sa kuptohet, të tjerët kanë kaluar edhe një mur tjetër dhe që nga Greqia janë hedhur në Gjermani.
E premtja sjell qetësi dhe një ndjenjë zbrazësie. Pastruesit e rrugëve kanë mbledhur me qindra letra me porosi për familjarët, mbase dhe ndonjë kërkim ndjese nga dikush që u nis pa lajmëruar... se ashtu i erdhën punët, se s'pati mundësi të dërgojë fjalë.
Në shkallët e pallatit tonë ngjitet, duke u kapur pas parmakut një pesëvjeçar që thërret me sa mundet: Liri-Demokraci, Liri-Demokraci...
Del me vrap e ëma dhe e tërheq brenda.
(Marre nga gazeta Shekulli, Tirane)


Press Freedom Fest 2010 - Intervistat me kontribuesit






