BE ratifikon marrëveshjen me Greqinë për gazsjellësin TAP. 1 miliardë euro investime në territorin shqiptar

Komisioni Europian miratoi marrëveshjen me Qeverinë greke për gazsjellësin Transadriatik, tue e quejt atë në linjë me rregullat e BE’s për ndihmën shtetnore.
Komisioneja e BE’s për Konkurrencë Margret Vestager tha se vendimi i hap rrugën ndërtimit të projektit multimiliarder.
“Gazsjellësi TAP ka me sjellë gaz të ri në BE dhe ka me rritë sigurinë e furnizimit me energji për Europën jug-lindore”, deklaroi Vestager.
Gazsjellësi Transadriatik asht zgjatimi europian i korridorit jugor të gazit, i cili synon me lidh tregun e BE’s me burime të reja energjetike. Fillimisht ai parashikohet me furnizue 10 miliardë metër kub gaz në vit tue fillue nga 2020, por në fazën e mavonshme ky kapacitet ka me u dyfishue.
Gjurma e gazsjellësit nis në Greqi dhe mbasi përshkon mes për mes Shqipninë përfundon në Itali.
Projekti po ndërtohet nga nji bashkim ndërmarrjesh gjigante në fushën e energjetikës, ku bajnë pjesë “British Petroleum”, kompania shtetnore e gazit në Azerbajxhan, italiania “Snam”, “Fluksis Enagas” dhe “Akspo”.
Gazsjellësi ka me kushtue 5.6 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard kane me u investue në territorin shqiptar. Ndërtimi i gazsjellësit ka fillue që vitin e kaluem, por këtë vit pritet që të kryhen punimet ma të mëdhaja.
FMN dhe Banka Botnore parashikojnë se investimet e këtij projekti kane me pasë efekt të ndjeshëm pozitiv në rritjen ekonomike të Shqipërisë.