Bitcoin si monedhë inovative

bitcoin3

Krisdela-KacaniKrisdela Kaçani*

 

 

Gjatë dekadave të fundit, kemi parë një evolucion të madh në industrinë e shërbimeve financiare drejtuar nga risitë teknologjike. Teknologjia ka qenë prej kohësh një partner i rëndësishëm në industrinë e shërbimeve financiare, duke siguruar përparime të reja, të nevojshme për industrinë e për të përmirësuar dhe  zgjeruar shërbimet e saj. Përmirësimet në kapacitetin e ruajtjes dhe shpejtësinë e përpunimit, kanë pasur një ndikim të thellë në menaxhimin e të dhënave dhe aftësive të shkëmbimit duke ofruar gjithashtu siguri më të lartë dhe eficencë.
Një risi financiare përcaktohet si diçka e re që redukton kostot, zvogëlon rreziqet, ose ofron një produkt të përmirësuar / shërbim / instrument që kënaq më mirë kërkesat e pjesëmarrësve të sistemit financiar. Ndryshimet teknologjike në lidhje me telekomunikacionin dhe përpunimin e të dhënave kanë nxitur risitë financiare, që kanë ndryshuar produktet bankare, shërbimet si dhe proceset e prodhimit. Ndryshimi i ritmit mundësuar nga përparimet teknologjike gjithashtu ka sjellë kërkesën për një fleksibilitet më të madh në proceset e pagesave dhe konceptimin e parasë, rishikim të rregullave në ekosistemin e pagesave dhe kohën e përpunimit të tyre. Ndër evolucionin e sistemeve financiare dhe konceptimit të tyre është propozuar dhe një konecpt i ri siç është paraja tekonlogjike, Bitcoin, e cila vjen si një alternativë e sistemit financiar.
Bitcoin është menduar të jetë një sistem tërësisht i decentralizuar jo i lidhur me ndonje subjekt sovran, bankë qendrore, apo sistemi pagesash, të cilat janë të dominuara nga bankat duke qenë më pak e prirur ndaj shfrytëzimit ose korrupsionit. Bitcoin bazohet në idenë e një monedhe zëvendësuese jo-qeveritare me një ofertë të kufizuar të parave. Të gjithë BitCoin dhe përdoruesit kanë identitetin e tyre unik dhe secili transaksion është regjistruar në librin publik (i cili vepron si një libër dixhital e rekord financiar me një gjurmueshmëri të të gjitha transaksioneve në mënyrë kronologjike). Kjo është pjesa më e rëndësishme e Bitcoin. Ky regjistër i llogarive, i quajtur “blockchain” në terminologjinë Bitcoin, është i dukshëm/pranishëm për të gjithë kompjuterat në rrjet, por nuk mund të zbulojë informacionet personale në lidhje me palët e përfshira në transaksione. Natyra publike e regjistrit ndihmon për të parandaluar shpenzimin e dyfishtë te BitCoin, dhe gjithashtu eliminon nevojën për një palë të tretë për të verifikuar transaksionet midis blerësit dhe shitësit. Për t’u bërë pjesë e rrjetit të Bitcoin, përdoruesit duhet të shkarkojnë program të lirë (falas) dhe me kod burimor të hapur (i cili ka një kod burimor publik të kontrollueshëm, verifikueshëm në dispozicion gjatë çdo momenti). Përdoruesit mund të marrin Bitcoin duke blerë ato me paratë konvencionale në një nga platformat e këmbimit. Përndryshe, një përdorues mund të marrë Bitcoin në këmbim për shitjen e mallrave ose shërbimeve ose nëpërmjet një procesi të quajtur “gërmim”. Në këtë proces gërmimi të gjitha transaksionet mblidhen në bllok dhe një bllok i ri gërmohet çdo 10 min. Një nga mbështetësit kryesore të Bitcoin është SHBA. Departamenti i Shërbimeve Financiare New York (NYDFS) thekson në kuadrin e tij se “bizneset Bitcoin që marrin përsipër të shkëmbejnë në dyqan, këmbejnë monedhën virtuale për konsumatorët duke blerë dhe shitur atë, për të administruar ose lëshuar një monedhë virtuale ose kryejnë këmbime mes Bitcoin dhe FIAT apo ndonjë shkëmbim të vlerës duhet të jenë të licensuar për të operuar në New York. Tregtarët të cilët pranojnë Bitcoin si monedhë nuk janë të përfshirë në këto rregulla”. Situata me BitCoins nuk është e njëjtë në të gjitha vendet e Europës Lindore. Për shembull në Rumani, u krijua i pari Fondacion për Bitcoin në Europën Lindore dhe i katërti në Europë. Fondacioni përpiqet për të përhapur filozofinë Bitcoin në mesin e popullsisë së Rumanisë. Jo të gjitha vendet në Europën Lindore janë në të njëjtat “ujëra” në lidhje me zhvillimin e sistemit Bitcoin dhe për fat të keq, në vendet ku konfliktet në nivel legjislativ ekzistojnë, një zhvillim i tillë është penguar seriozisht. Edhe pse, përfaqësues të komuniteteve lokale Bitcoin besojnë se qeveritë nuk kanë zgjidhje tjetër por të pranojnë Bitcoin për shkak të faktorëve globalë dhe rajonalë. Para së gjithash, shumica e vendeve të zhvilluara kanë pranuar Bitcoins tashmë dhe disa e kanë përcaktuar atë në legjislacionin e tyre. Dhe së dyti, vende si Rusia dhe Ukraina kanë një potencial të madh për Bitcoins, jo vetëm për shkak të territorit dhe popullsisë, por edhe për shkak se monedhat lokale janë mjaft të paqëndrueshme dhe te dobëta. Në këtë rast Bitcoins mund të shërbejë si një alternativë solide, sidomos për bizneset private. Për fat të mirë ka komunitete aktive lokale të cilat janë duke luftuar për të ardhmen e Bitcoins në rajon dhe ne jemi të sigurt se është e vlefshme për të luftuar.
Pra, kuadri ligjor rreth monedhave dixhitale mund të themi që është në fillimet e veta. Duke marrë fokus nga agjencitë ose institucionet e mandatuara për kontroll kuptohet qartë që monedha dixhitale ka krijuar tregun e vet dhe rregullat e lojës midis aktorëve dhe pjesëmarrësve duhet të saktësohen për të lejuar monitorim dhe transparencë.
*Asistente Lektore, Universiteti Europian i Tiranës