Bujqësia si prioritet ekonomik

bujqesi

Teuta Nunaj

teuta nunajJanë dy elemente të rëndësishme që e bëjnë bujqësinë në Shqipëri, një nga fushat prioritare për zhvillimin ekonomik të vendit: (i) numri i madh i të punësuarve në këtë sektor; (ii) kostoja e ulët e produkteve të saj, krahasuar me shtetet e tjera. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT: Në periudhën 2009-2013 janë rikthyer në Shqipëri 133.544 shqiptarë, të cilët janë kryesisht nga zonat rurale, që solli në sektorin e bujqësisë rritjen e punësimit nga 14.6% në 30.7%. Po sipas INSTAT, në Shqipëri më 1 janar 2015, 42.8% e popullsisë janë banorë të fshatit, të cilët si punë bazë kanë kultivimin e tokës, prej së cilës sigurojnë të ardhurat për mbajtjen e familjeve. Ndërkohë që punësimi në sektorin privat bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2015, vijon të ketë numrin më të madh të të punësuarve në vend, 443,815 të punësuar ose 44.3% të të punësuarve në total që janë në shkallë vendi. Shqipëria vijon të jetë konkurrente përsa i përket kostos së produkteve bujqësore, përveç kushteve të favorshme natyrore dhe diellit për një periudhë të gjatë të vitit, një element me rëndësi është kostoja. P.sh. kostoja e 1 kg domate prodhim sere për eksport në Shqipëri në sezonin e vjeshtës ka qenë 0.45 euro/kg, ndërsa në Itali po ky produkt, ka patur një kosto prej 0.88 euro/kg, përafërsisht dyfishi i kostos. Nëse do të bëhet një krahasim i të njëjtës periudhë, në dy vite, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave shohim se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 janë eksportuar nga tri qarqe: Berat, Elbasan dhe Fier 36,644.65 tonë domate dhe në të njëjtën periudhë të vitit 2015, po në këto tri qarqe janë eksportuar 43,181.5 tonë domate sere ose 20% më shumë.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në vitin 2014 kishim 1,085 ha sera me perime, ose 260 ha më shumë se viti 2010 ose 0.4% më shumë se viti 2013 dhe tendenca në vitet në vijim ka qenë që sipërfaqet me sera kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Gjë e cila ka bërë që këto produkte të kenë rritje të ndjeshme në eksporte. Ndërsa përsa i përket prodhimit të perimeve, sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2014 shënuan një rritje prej 2,8 % krahasuar me një vit më parë. Ndërsa gjatë 5 viteve të fundit, prodhimi i perimeve është rritur me 10,5%. Fermerët shqiptarë kanë fleksibilitetin e prodhimit sipas kërkesës, por kanë nevojë në mënyrë emergjente për ndihmesë teknike, për rregulla të barabarta dhe për gjetjen e tregjeve të reja, si brenda dhe jashtë vendit.
Ç’do të thotë kjo? Fermeri ynë që kërkon të eksportojë, ndeshet me dy tregje të mëdha. I lindjes dhe i perëndimit, ky i fundit nënkupton tregun e BE-së. Tregu i lindjes kryesisht në vendet ish-komuniste ka procedura më të pakta dhe lehtësira më të shumta për eksportet, krahasuar kjo me tregun perëndimor, që e ka kthyer këtë treg, në treg të synuar për fermerin shqiptar. Që të eksportosh një produkt në vendet e BE-së, duhet ta shoqërosh me një skedë teknike, ose siç njihet ndryshe me certifikatë garancie, e cila kërkon të plotësohen si detyrim disa të dhëna dhe parametra të produktit për eksport. Aktualisht fermerët shqiptarë janë ende të papërgatitur për t’u përballur me kërkesat e tregut perëndimor dhe rregullat e tij. Në këto kushte, ata janë në kërkim të zonave të lira në tregjet e mëdha në lindje, kryesisht në shtetet sllave, ku kërkesa për produkte shqiptare vjen gjithnjë duke u rritur. Pikërisht këtu mund dhe duhet të shtohet roli dhe ndihmesa e shtetit, duke i dhënë asistencë teknike dhe duke e mbështetur e ndihmuar për t’u gjetur treg, duke u dhënë në këtë mënyrë mundësinë që fermeri të rritet, të zhvillohet dhe të përmirësojë nivelin e jetesës së tij, përmes rritjes së të ardhurave nga puna.
Një problematikë tjetër paradoksale e hasur në treg, ka të bëjë edhe me faktin se fermerët shqiptarë eksportojnë për tregun e jashtëm produkte bujqësore dhe tregtarët shqiptarë importojnë për në tregun e brendshëm po produkte bujqësore. Nëse do të flasim me gjuhën e shifrave, ku burimi vazhdon të jetë INSTAT, do themi: Për grupin e zërave “Ushqim, pije, duhan” Shqipëria për vitin 2015 ka eksportuar mbi 21miliardë lekë dhe ka importuar 96.8 miliardë lekë, ose 4.6 herë më shumë importe se eksporte.
Ne periudhën e fundit, si pasojë edhe e prezencës më të madhe të shtetit në tregun bujqësor, kemi një rol aktiv të bankave të nivelit të dytë për kredi me interesa mbështetëse dhe favorizuese. Kjo ka ardhur pasi shteti ka marrë një rol të ri, atë të grantit së bashku me Berxh, për kreditë që bankat u japin fermerëve. Pyetja që shtrohet është: A janë të përgatitur fermerët shqiptarë që përmes punës të marrin maksimën e investimit të tyre? Ata janë bujq dhe të aftë të punojnë tokën, por a dinë ta menaxhojnë prodhimin? Deri tani kemi patur fermë profesionistë që kultivojnë produktin duke qenë bujq profesionist. Por kjo nuk mjafton. Pasi, që të realizohet fitimi, duhet që produkti të shitet. Dhe në këtë mënyrë merr kuptim dhe investimi i bërë. Për këtë duhet menaxhim, bashkërendim dhe bashkëpunim mes fermerëve, të cilët që të zhvillohen dhe të jenë konkurrentë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, duhet të organizohen në njësi më të mëdha se fermat, që organizimi të jetë më profesional, rendimenti dhe fitimi edhe më i lartë.
Po kështu, zhvillimi i bujqësisë do të mund të krijonte kushte edhe për zhvillimin e industrisë agro-përpunuese. Aspektet pozitive të ndërhyrjeve shtetërore kanë të bëjnë edhe me: (i) rritjen e eksporteve, rritjen e sasisë së valutës në vend dhe për pasojë përmirësohet bilanci tregtar; (ii) rritjen e sasisë së tokës së punuar, që sjell rivitalizim; rritjen e numrit të të punësuarve në bujqësi, që ul papunësinë dhe rrit të ardhurat ekonomike të familjeve shqiptare që punojnë në bujqësi; (iii) zvogëlohet emigracioni dhe migrimi. Ndaj, sa më shpejt shteti të marrë rolin e tij në këtë situatë, aq më shpejt gjërat do të kenë premisën të sigurohen.