Dashnia gay shqiptaro-hungareze që përfundoi me tragjedi (Fotot e rralla)

Bajazid Elmaz Doda ka lindë rreth vitit 1888 në katundin malor Shtirovicë të Rekës së Epërme (Maqedoni) ku edhe ka kalue fmininë. Si shumë djemë të Rekës, edhe ai mori udhën e gyrbetit dhe shkoi në Rumani për me punue. Me 20 Nandor 1906, në Bukuresht, ai takon albanologun, baron Franc Nopca (1877-1933), i cili 18 vjeçarin e pranon në punë si shërbëtor.

Nga marrëdhania e punës lindi nji dashni dhe nji bashkëjetesë e lumtun dhe shumëvjeçare. Në kujtimet e jetës së tij botue në 2001 me titullin ‘Reisen in den Balkan’ (Udhëtime nëpër Ballkan), Nopca ka përshkrue me pak fjalë takimin e parë me të dashunin e tij, i cili gjithkund figuronte si sekretar i tij privat:

“Me 20 Nandor 1906, në Bukuresht, jam njoftue me Bajazid Dodën. Që nga ajo kohë Bajazidi ka qëndrue pranë meje dhe që nga vdekja e Luis Draskovicit ai ka mbetë i vetmi njeri, që më donte me të vërtetë, dhe në të cilin unë pata besim të plotë në tana gjanat, pa më shkue kurrë mendja në ndonji dyshim se ai mundet me keqpërdorë besimin tim. Edhe ai kishte gabime, por tue pa tana të mirat e tij, kam injorue ato. Nga urrejtja kundër çdo gjaje austro-hungareze, dhe ngaqë unë isha angazhue posaçërisht për Shqipninë, nga urrejtja ndaj meje, serbët vranë në Shtirovicë baben dhe vllaun e Bajazidit me 1913.”

rek10

Ma vonë Nopca, së bashku me shërbëtorin e tij të ri, udhëtoi për në vendlindjen e tij, në pronën e prindëve në Sacal afër Hacegut në Transilvani, dhe mbas disa muejve në Londër, ku Bajazidi u smue nga nji grip i randë. Kah mesi i Nandorit të dy bashkë u nisën nga Shkodra, ku Nopca, në vitet 1907-1910 dhe ma vonë mbas Tetorit 1913 kishte nji shtëpi, për në Mirditë dhe Kalis, ku ra peng të plaçkitësit namkeq Mustafa Lita. Mbas lirimit të tyne në Prizren, ata udhëtuen për në Shkup.

Me 25 Prill 1933, mbas nji vuejtje të gjatë nga depresionet, Nopca i mori jetën vetes me nji plumb në gojë. Pak çaste ma herët, ai veç kishte vra edhe shërbëtorin e vet besnik dhe bashkëshortin, Bajazid Doda. Në letrën e tij për policinë, Nopca kishte shkrue:

“Shkaku i vetvrasjes sime asht sistemi im nervor i shkallmuem. Arsyeja pse unë e kam vra në gjumë, krejt pahetueshëm, edhe shokun tim të moçëm dhe sekretarin tim, Bajazid Elmaz Doda, asht se unë nuk mundesha me lanë atë të smutë, të shkretë dhe pa pare në këtë botë, sepse ashtu ai kishte me vuejt së tepërmi. Due me m’djegë.”/Mapo