Denohet me 23 vjet burg milioneri italian, që gjuejti acid në fytyrat e dashnorëve të së dashtunës

Ai ishte 29 vjeç dhe milioner, njajtë si Christian Grey, personazhi i filmit “50 hijet e Grey’t”. E njajtë si në film, Alexander Boettcher e detyroi studenten e ekonomikut, Martina Levato me u ba nji skllave seksi.

Por Christian Grey italian shkoi edhe ma tej. Ai e detyroi atë me i gjuejtë me acid në fytyrë të gjithë ish-të dashtunit e saj.

Sulmet ndodhën me 2 Nandor dhe 28 Dhetor të vitit 2014 në Itali.

Mirëpo “çifti i acidit”, sikurse njihen Alexander Boettcher dhe Martina Levato, u denuen mbramë me 23 dhe 16 vjet burg për sulmin e parë me acid, ndërsa për sulmin e dytë¸janë denue ma herët me nga 14 vjet burg.

Bashkë me “çiftin e acidit” Gjykata e Milanos denoi me 9 vjet e 4 muej bashkëpunëtorin e tyne, Andrea Magnani.

Mbas vendimit që u dha në prani të familjarëve të viktimës Stefano Savi, prindërit e tij u shprehën të lehtësuem për drejtësinë që u krye në kohë rekord, derisa vetë studenti tha se Boettcher dhe Levato e shkatërruen vetë njani-tjetrin.

Savi tha se deri tani ka ba 16 ndërhymje kirurgjikale e në Shtator ka edhe nji tjetër, për me rikuperue sado pak plagët dhe damtimin e tmerrshëm të ftyrës nga acidi.

Shpresoj që ai mos me dalë ma kurrë prej burgut. Prej sot për mue nis nji jetë e re, tha ai, tue shtue se nuk ka me e fshehë ma buzëqeshjen.

Përveç burgut për autorët, Gjykata vendosi që viktima Stefano Savi me u damshpërblye me 1.2 milionë euro, fotografi që i shpëtoi sulmit tue hapë çadrën me marrë 50 mijë euro¸ ndërsa familjarët e viktimës – baba, nana e vllau binjak, me nga 60 mijë euro secili.