Drama “Brisku”, nji histori Kosove dhe Shqipnie

Drama e nji të riu kosovar që ikë n’Irak me shpresën e kthimit të ndritun në atdhe. Drama për emigrimin dhe traumat që ai le mbas. “Brisku” me dramaturgji dhe regji të Naser Shatrollit ka me u ngjit sot në shkenën e teatrit “Kujtim Spahivogli”.

Nji dramë që prek këtë realitet, që i takon Prishtinës, Tiranës, Ballkanit, por shkon edhe përtej Atlantikut.

“Shumë i ri, shkon në Irak me idenë me ndërtue shpinë e tij në Kosovë. Ai e arrin këtë lloj misioni, po humb diçka që asht jetike për nji njeri. Traumat që ai personazh ka në kryet e tij, i kanë edhe amerikanët”, thotë regjisori Naser Shatrolli.

Liria dhe kërkimi kambëngulës i saj. Nji liri e kërkueme n’ikje, por që nuk gjendet nëse nuk zhvendoset në mbrendësi të personazhit dhe realitetit që e rrethon ate.

“I takon Tiranës shfaqja, sepse kam bindjen që ka me gjetë nji copë të jetës së vet. Liria nënkupton me pas lirinë me vetvehten tande”, vazhdon Shatrolli.

Nji histori, andrrash dhe entuzizmi të thyeme në mbrendësi të nji berberhane, i sjell publikut shqiptar mesazhin e kërkimit të thesarit në shpinë e vet. “Brisku” sjell të shkuemën dhe të tashmen nën ndjesinë e nji dramaturgjie bashkëkohore.

“Ta them dhe nji detaj, publiku ka me qenë në skenë”, thotë regjisori.