Editoriali i The Guardian: Sadiq Khan shkruen për Ramazanin

Kryebashkiaku i Londres, Sadiq Khan me anë të nji editoriali të publikuem në gazetën “The Guardian” shpreh ndjesitë e tij personale për Muejin e Ramazanit, tue apelue njerëzit për ma shumë punë në komunitet e për mos me pasë frigë nga besimi i tjetrit.

“A asht e guximshme me qenë kryebashkiaku i parë musliman dhe mos me pasë frigë me qenë musliman? Unë nuk e cilësoj veten nji politikan musliman, nuk jam nji zadhënës musliman apo lider, edhe kjo asht e randësishme të sqarohet, mbasi përndryshe je i përcaktuem vetëm nga besimi. Na kemi disa identitete – unë jam londinez, baba – dhe bashkia e qytetit nuk asht nji katedër.

Por, kur nis Ramazani, unë bahem i ndërgjegjshëm se, sa mundësi e madhe asht me ba gjana së bashku në komunitet dhe me thye misticizmin dhe dyshimet rreth fesë. Nëse je dikush që nuk ke miqë muslimanë dhe eksperienca jote e vetme për Islamin asht ajo që sheh në lajme, – burri i zemëruem me mjekër që thotë apo ban diçka të tmerrshme, – atëherë në mënyrë të pandërgjegjshme ti e lidh ate me Islamin dhe mendon se kjo asht gjithçka që ai asht. Kështu, unë e baj prioritet këtë muej me dalë atje jashtë për ju dhe me ndërtue ura tue shtrue iftare për Ramazan rreth e rrotull qytetit, në sinagoga, kisha dhe xhami.

Mënyra ma e mirë që njerëzit me kuptue besimin e njani-tjetrit asht me i nda së bashku eksperiencat. Agjerimi asht nji mënyrë e mirë për me ba nji gja të tillë, mbasi nëse e ndanë bukën me dike, tue ftue jo muslimanë me hanger iftarin së bashku, kjo kallxon se nuk ke të bash me diçka të frigshme apo të çuditshme, transmeton Rrokum.TV.

Kur isha tue u rritë, njerëzit u deshtë me ja shpjegue të tjerëve pse nuk hanin. Tashma, në nji qytet kozmopolitan si Londra, ku për 1 mijë vjet ka pasë nji shkëmbim të lirë të tregtisë, ideve, njerëzve dhe kulturave, pjesa ma e madhe e njerëzve njohin dike, në punë apo napërmjet miqve, që ka me kalue këtë muej tue agjerue. Vetni ata se qysh janë. Kjo sjell nji ndryshim të madh, kur dikush kalon disa minuta tue u sigurue se qysh po kaloni. Kam pasë miq që kanë agjërue për solidaritet,– ata nuk ja dilnin gjithnji deri në fund të ditës, por ishte nji gjest i kandshëm.

Këtë vit ka me qenë veçanërisht e vështirë. Për shkak të kalendarit lunar, Ramazani zhvendoset mbas me 12 ditë për çdo vit dhe tash na jemi në kulmin e ditëve të gjata të verës. Pjesa ma e madhe e ditëve të agjerimit ka me qenë 19 orëshe. Asht e frigshme. Axhenda ime asht plot për Ramazan,– kemi referendumin për BE që po afrohet dhe mundet me ndodhë që unë me prishë agjerimin me ndonji gotë uji në ndonji aktivitet. Vitin e kaluem, na patën nji fushatë të madhe selektimi për Ramazan, kështu që unë u përballa me shumë ngutje napër vapë, ndërsa isha tue agjerue. Ajo që nuk duhet ba asht me u perpjekë me ndryshue krejtësisht stilin e jetës, për shkak se nji gjë e tillë e vnon poshtë sakrificën. Sigurisht, ka edhe përjashtime islamike në rast se agjerimi ndikon në performancën tande si kirurg truni apo nëse je në ushtri, por asht madhështore me pa se sa shumë mundet me durue trupi dhe vërtet duron – shumë ma tepër se sa e merrni me mend.

Çdokush që me njeh, e di sa i mjerë jam gjatë Ramazanit. Disa kishin me thanë se unë jam i mjerë tanë vitin, por agjerimi më ndikon te humori. Ma së shumti më mungon kafja, ushqimi jo. /Rrokum.TV