Intervista e djalit të bosit të Cosa Nostra që e tronditi Italinë

Çka asht mafia për ty?

 

S’e kam mendue kurrë. Mendoj se asht diçka…s’e di. Nuk kam nji përgjigje të saktë se çka asht mafia. Sot mafia mundet me qenë gjithçka, ose asgja.

Trafik droge, qinda vrasje… tanë kjo ban pjesë në histori, nuk asht ma nji opinion. E ty s’të thotë asgja?
Vrasjet e trafiku i drogës nuk janë veç të mafias. Nuk i bajnë veç mafiozët.

Po, por i bajnë edhe mafiozët.

Po. Por nuk më takon mue me e thanë.

15 Kallnor 1993. Ky asht shefi i mafias, i arrestuem sot në mëngjes në Palermo. Asht ftyra e Toto Riinës nga Corleone që në fillim të viteve ’80, fitoi luftën mes klaneve me 1 mijë të vramë, dhe u ba shefi i padiskutueshëm i mafias. Sot fitoi shteti. E me karabinierët që arrestuen Toto Rinën sot në mëngjes, ka fitue Italia. Kemi fitue ne të gjithë.

Çka asht shteti për ty?
Për mue shteti asht entiteti në të cilin jetoj.

Entiteti që e respekton?
Sigurisht. E respektoj shtetin. Gjithmonë e kam respektue. Sigurisht ndonjiherë nuk pajtohem me ligje apo vendime të caktueme, por e respektoj gjithmonë.

A pajtohesh me idenë se arrestimi i babës tand asht fitore e shtetit?
Jo, sepse asht baba im. Në kuptimin që mue ma mori babën. Prandaj nuk mundem me u pajtue.

Baba jot nuk ka kërkue kurrë falje e as nuk asht pendue për çka ka ba. E as ti në librin tand nuk jep asnji shejë të pendimit e keqardhjes.

Sepse e due babën tim, nanën time, e due familjen, pamvaresisht të gjithave që iu mvishen atyne. Nuk më takon mue me gjykue veprimet e babës e të familjes sime. Për këtë asht shteti, janë vendimet, gjykatësit. Unë gjykoj vetëm atë që më ka mësue familja, dmth, e mira, respekti. Për gjanat e tjera nuk më takon mue.

Më fal, por me vra tanë ata njerëz, asht e mirë, asht respekt.
Kjo nuk ka lidhje. Unë nuk flas për këtë. Më kanë mësue plot gjana të tjera. Nëse jam sot ky që jam, asht falë prindërve të mi. Përtej atyne që thonë vendimet, asht nji njeri.

Kuptoj, por ky njeri ka ba gjana të tmerrshme.

Për këtë po paguen…

Po, sigurisht që po paguen, por fakti që ti nuk thue se baba ka gabue, me habit.

Pse duhet me e thanë unë? Pse duhet me thanë se baba im ka gabue? Për këtë asht shteti. Nuk më takon mue.
A nuk mendon se duhet me e pranue se ka gabue?
Kush?

Baba jot.
Nuk duhesh me ma kërkue mue këtë, por atij.

Kisha me ia kërkue me dëshirë, por nuk kam mundësi.
Unë e respektoj babën tim.
E tanë ato vrasje nuk e kanë zbehë respektin për babën?
Nuk asht kjo…

Ti thue baba asht babë, edhe pse ka vra tanë ata njerëz…
Urdhnesa e Katërt e Zoitit thotë se duhet me i respektue gjithmonë prindërit.

Ka edhe nji Urdhnesë që thotë: Mos vrit!
Po nuk më takon mu’ me e gjykue.

Po thue se për Urdhnesat duhet o të gjitha, o asnjanën?
Jo, s’asht ashtu. Unë i respektoj babën e nanën, e nuk më takon mue me i gjykue.

Kjo asht vetëm nji pjesë e intervistës 40 minutëshe me djalin e shefit të shefave të mafias italiane, Toto Riina, e që e vuni Televizionin Publik Italian RAI në qendër të polemikave të opinionit publik. Komisioni parlamentar antimafia ka thirrë sot në raportim menaxhmentin e RAI’t në lidhje me këtë intervistë. Ma herët, në Parlament, deputetët kërkuen që transmetuesi publik që financohet nga taksat e qytetarëve mos me i dhanë hapesinë djalit të mafiozit, ndërsa kryetari i Seantit, Pietro Grasso, tha se nuk i intereson nëse dora e Riinës ka përkdhelë bijtë e vet, sepse e njajta dorë asht e lame me gjak.

Ndërsa menjiherë mbas intervistës së të dënuemit me 8 vjet e gjysë burg, djali i njanit prej shoqnuesve të gjykatësit Giovani Falconet të vramë në atentatin e tmerrshëm në vitin 1992 e përjetoi kështu fjalimin e nanës, atëherë 22-vjeçare, në ceremoninë e varrimit të babës së tij.

Rosaria Costa Schifani, grueja e shoqnuesit të vramë të Giovanni Falcone:

Jam katolike e pagëzueme në Kishë e ju baj thirje mafiozëve që janë sot këtu, e që nuk janë katolikë, se edhe për ata ka shpëtim. Unë i fali që ma vranë burrin, por ju duhet me ra në gjuj.

BRUNO VESPA gazetar: Ti ke zgjedhë rrugën e babës për me i shërbye shtetit. Si u ndive?

 
ANTONIO EMANUELE SCHIFANI, djali i shoqnuesit të vramë të Giovanni Falcone:

E kam gati të pamundun me komentue intervistën e djalit të Toto Riinës. Çfarë vlerash janë ata që i ka mësue baba i tij? Cili asht ndryshimi mes të keqes dhe të mirës. Asht e pabesueshme. Nuk arrij me i onceptue fjalët që tha.

Por ma i ashpër me djalin e mafiozit u tregue në studion e emisionit Porta a Porta të gazetarit veteran Bruno Vespa¸u tregue gazetari tjetër i “Corriere Della Sera’s, Fellice Cavallaro.

FELLICE CAVALLARO, gazetar:

Intervista duket si e nji ufoje që ka ardhë rastësisht këtu. Për arrestimin e të atit, ai tha se shteti ia ka marrë. Po sikur veç ta dinit sa djem janë rritë pa babë për faj të babës së tij!
Unë e kuptoj se ai po don me kthye nji imazh të familjes, por këto teatrot me përkëdhelje të babës së tij… Shikoni! Nëse vendosim nji kamera në strofkullën e nji hiene kemi me pa se edhe ajo i përkdhel këlyshët e saj.