Letra e dashnisë e John Kennedy ka dalë n’ankand

Nji letër e shkrueme nga ish-Presidenti amerikan John Kennedy për ate që përflitej se ishte e dashuna e tij Mary Pinchot Meyer, doli për shitje n’ankand.

Letrat prej 4 faqesh ishin ruejtë nga sekretarja personale e Kennedy, Evelyn Lincoln mbas vrasjes së tij.

Meyer ishte bashkëshortja e nji agjenti të CIA’s dhe u vra në rrethana ende të pazbardhuna në Tetor të 1964, nji vit mbas shkrimit të letrës.

“Ti nuk largohesh kurrë nga periferia jote…Hajde me më takue”, i shkruen asaj, Presidenti në letrën që mbyllet me fjalët..”Pse nuk thue, po”!

Bobby Livington, zv/presidenti i shtëpisë së ankandeve tha se, dokumentet ishin të verifikueme.

“Bahet fjalë për nji letër origjinale të Presidentit e shkrueme në Tetor të 1963-shit, nji muej para se ai me u vra…Sekretarja e tij Evelyn Lincoln zhvendosi objektet e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë, kur atje erdhi Lyndon Johnson”.

Çmimi fillestar i letrës ka me qenë 30 mijë dollarë. Në shitje ka me u nxjerrë gjithashtu, nji letër dashnie për Kennedy dhe nji letër tjetër shantazhi, gjithashtu nji foto që kallxonte ish-Presidentin me nji të dashun.

Ankandi ka me u mbajtë me 23 Qershor në Boston të Masacusets.