Miss Kosova 2016 nuk ka shtetësi, por jeton në Kosovë!

Camilla Barraza, çika që para pak ditësh fitoi kunorën e ma të bukurës në Kosovë, nuk asht shtetase e Republikës së Kosovës.

Këtë e kanë konfirmue për KultPlus Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Republikën e Kosovës.

Mbas verifikimit në bazën e të dhanave të gjendjes civile dhe të Departamentit për Shtetësi Azil dhe Migracion në MPB për këtë person nuk asht gjetë asnji shënim.

Camilla Barraza nuk asht shtetase e Republikës së Kosovës, dhe ky person nuk ka parashtrue kërkesë për fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në DSHAM/MPB.

KultPlus ka dashtë të dijë nëse Barraza asht shtetase për faktin se asht zgjedhë Miss Kosova para pak ditësh, në nji garë ku, megjithatë ka pasë çika nga Kosova, e të cilat kanë edhe nënshtetësinë e Kosovës edhe nëse për nji kohë nuk kanë jetue mbrenda shtetit.

Para pak ditësh portali ka provue të konfirmojë mbi nënshtetësinë e Barrazas edhe nga organizatorja e Miss Kosova, Agnesa Vuthaj, por ajo tue mos kallxue mbi këtë fakt ka zbulue se bukuroshja nga Argjentina jeton prej kohësh në Kosovë. Asht paralajmërue edhe nji konferencë për media për të sqarue tanë rrëmujën e krijueme nga përzgjedhja e çikës si fituese, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhë.