Myslimanët ruejnë çelësin e vendit të shejtë katolik

Çelësi i nji prej vendeve ma të shejta të krishtenimit në botë asht ruejtë për shekuj të tanë nga nji familje myslimane, raporton CNN.

Kjo asht ma shumë se nji traditë, asht thelbi i Jeruzalemit asht nji pjesë e asaj që e ban historinë kulturore dhe fetare të qytetit të vjetër shumë të veçantë.
Adeeb Joudeh, mbasardhës i familjes muslimane përgjegjëse për kishën, mbart me vete nji çelës të lashtë gize, rreth 500 vjet të vjetër. Çelësi asht 30.5 centimetër i gjatë, me nji dorezë metalike trekëndore dhe nji fund katror.
Ky asht çelësi që hap portën e kishës së varrit të shenjtë ku besohet se Jezu Krishti u kryqëzue dhe u varros.
Kisha asht nji nga vendet ma të shenjta të krishterimit në botë, ku mija njerëz nga e gjithë bota bajnë pelegrinazhe për festën e Pashkëve çdo vit.
Por pak prej tyne e dinë rolin dhe randësinë e paraardhësve të Joudeh në rujtjen e e historisë së këtij vendi të shejtë.
Familja e tij e ka ruejtë me fanatizëm çelësin për gjenerata të tana. Joudeh në shtëpi mban foto të gjyshit dhe stërgjysht, të cilët dikur ishin të ngarkuem me detyrën e shenjtë për të cilën kishin nënshkrue kontratë historike në pergamenë të nënshkrueme me bojë ari në vitin 1517.
“Kjo asht trashëgimi e familjes”, thotë Joudeh. Kjo asht e gjitha që na si familje posedojmë. Dhe asht nji nder për të gjithë myslimanët në botë, – thotë ai.
Kjo detyrë iu besue paraardhësve të Joudeh si nji mënyrë për me mbajtë nji kujdestar neutral të Kishës së Varrit të Shenjtë, meqenëse kisha asht e ndame mes besimeve të shumta të krishtera, tue përfshi ortodoksët armenë, grekë, françeskanët, dhe më shumë të tjerë.

 

Ai mësoi detyrimet dhe përgjegjësitë nga paraardhësit e tij të cilat ma pasë ka me ia kalue të birit.
“Ajo që kalon nga gjenerata në gjeneratë nuk asht vetëm çelësi por edhe tradita e respektimit të besimeve të tjera fetare”, thotë Joudeh.
Na bashkëjetojmë në paqe dhe dashni me të krishtenët, ky asht thelbi i vërtetë i fesë islame e cila na u mësue 1,400 vjet ma parë.
Por, Joudeh nuk e ka krye këtë obligim vetëm. Edhe pse ai ka përgjegjësi për rujtjen e çelësit, nji familje tjetër muslimane asht e ngarkueme me hapjen e derës tue i lejue besimtarët të hyjnë në kishë.
Për këtë përgjegjesia bie mbi Wajeeh Nuseibeh, i cili e hapë kishën për vizitor çdo mëngjes për ta mbyllë atë në mbramje.
Dy familjet muslimane e kanë nda këtë përgjegjësi për shekuj me radhë, tue mbrojtë vendin e shejtë dhe tue e mbajtë atë të hapun për besimtarët e krishtenë.