Nobelisti Bob Dylan akuzohet për plagjiaturë

Nji shkrimtare akuzon legjendën e muzikës rockut, Bob Dylan, për plagjiaturë, në fjalimin e tij të pranimit të çmimit Nobel për Letërsinë, për pjesë të citueme nga romani “Moby Dick”.

Shkrimtarja, Andrea Pitzer, e cila ka analizue fjalimin e rockerit për gazetën “Slate”, thekson se ka gjetë ngjashmëni të forta mes referencave të Dylan në romanin “Moby Dick” dhe analizës së nji faqe interneti për studentë në fushën e letërsisë, “SparkNotes”.

Romani i Herman Melville i publikuem në vitin 1851 ban pjesë në veprat e citueme nga rockeri në fjalimin që duhej t’i përçonte në minutat e fundit akademisë suedeze për me i marrë paret e çmimit të tij, 923 000 dollarë.

Në fjalimin e tij, Bob Dylan, skicon nji poetikë të kangës tue përmendë Homerin dhe “Moby Dick”.

Ai citon Melville tue e quajtë balenën Moby mishnuesja e së keqes.

Por, Pitzer vëren se kjo fraze nuk shfaqet në roman, por në nji rezyme në faqen e internetit “SparkNotes”.

Simbas shkrimtares, fjalimi i Bob Dylan përmban 20 referenca ndaj romanit “Moby Dick” që i ngjajnë shumë analizës së “SparkNotes”.

Pitzer kujton se Dylan prej shumë kohësh ka praktikue përshtatjen e muzikave apo pasazheve letrare në kangët e tij.

“Dylan asht shumë i mvarun nga kjo formë pune, sa që të kërkosh burimet e tij asht shnëndrrue në nji industri të vërtetë”, theksoi ajo.