Poetët: Kinemaja e mbyti poezinë

Vetëm sot numri i lexuesve të poezisë asht rrit, mbasi edhe zyrtarisht asht dita botnore e poezisë.

Kështu tha drejtoresha e nji librarie të kryeqytetit Sabahete Çabdarbasha, e cila flet për poezinë me nji ndjenjë të veçantë.

Ajo nuk asht aspak e kënaqun me leximin e poezisë, që simbas saj lexohet shumë ma pak se romani, librat psikologjikë etj.

Por a po rrezikohet poezia në Kosovë në bumin e rrjeteve sociale, poetja Ilire Zajmi për Televizionin Rrokum thotë se poezia po rrezikohet dhe s’asht e lehtë me qenë poet në këtë kohë, sepse edhe nji antipoezi në rrjete sociale mundet me u quejtë poezi.

Simbas saj, institucionet duhet me ba diçka për me i stimulue gjeneratat e reja për shkrimin e poezisë.

E njajtë mendon edhe poeti nga Shqipnia, Primo Shllako. Ai në nji intervistë për Televizionin Rrokum, thotë se asht kinemaja ajo qe ia ka marrë “punën” poezisë prandaj librat me poezi shiten shumë ngadalë.

Që nga viti 1999, 21 Marsi asht shpall nga UNESCO dita botnore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30 të kësaj agjencie zhvillue në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njajtën kohë, caktimi i nji dite ndërkombëtare për poezinë bahet edhe me qëllimin për me ia kthye kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, nuk ka parapa asnji organizim për Ditën Ndërkombëtare të Poezisë.