Revista Vogue: Ju prezentojmë Era Istrefin, kangëtarja me zanin si Rihanna

Era Istrefi po e shtrin famën e saj ndërkombëtarisht dhe nji gja e tillë vërtetohet edhe nga intervista që ajo ka dhanë së fundi për revistën prestigjoze “Vogue”.  Siç thuhet edhe në shkrimin e Vogue tash Era asht gati të vazhdojë karrierën e saj në SHBA.

Në intervistën e dhanë Era asht shprehë se për vite me radhë ka knue veç për veten e saj mbasi nuk ishte e sigurt se cila ishte rruga që dëshironte me ndjekë në jetë.  “Kur isha 19-vjeçe kam publikue kangën time të parë me titull “Mani per money”. Dhe prej tre vitesh vazhdoj me knue”, ka thanë Era.

E pyetun se çfarë ka ndryshue për Erën kur muzika e saj filloi të merrte vëmendje ndërkombëtare, Era asht shprehë: “Pashë që ndjekësit e mi po shtoheshin me shpejtësi mbrenda natës, me mija në minutë. Mendova me vete se çfarë po ndodh? Mos ndoshta më kanë vjedhë profilin? Nuk ja kisha idenë, por mandej pash shumë postime rreth meje dhe se sa shumë e donin kangën dhe videon. Ishte nji moment shokues dhe i bukur në jetën time. Ju betohem, ishte nji mrekulli”.