Robert Elsie: Filmimi i parë që kallxon shqiptarët, i vitit 1904 (video)

Incizimi pamor nga viti 1904, i cili paraqitet këtu asht ndoshta filmi i parë me shqiptarë. Ky incizim asht pjesë e nji filmi dokumentar ma të gjatë të xhiruem nga politikani britanik Arnold Muir Wilson (1857-1909) nga Sheffield në Yorkshire dhe nga regjisori i kinematografisë së hershme britanike, Frank Mottershaw (1850-1932), gjithashtu nga Sheffield.

Nga Robert Elsie

Wilson, anëtar i bashkisë së Sheffieldit dhe i Partisë Konservatore, ishte gjithashtu konsull nderi i Serbisë në Sheffield dhe merrej me marrëdhaniet tregtare midis të dy vendeve. Në vitin 1904 udhëtoi për në Beograd dhe, në bashkëpunim me Mottershaw, xhiroi nji film dokumentar për kunorëzimin e mbretit serb Pjetër I Karadjordjevic, më 21 Shtator të atij viti. Filmi i tyne pa za, në 35 mm dhe 54:19 minuta ose 1,480 metrash i gjatë, u shfaq për herë të parë në Londër në Dhetor 1904 dhe në Serbi në Prill 1905, me titra në anglishte dhe serbishte. U restaurue ne Bologna gjatë viteve 1999-2004 dhe ruhet tash në Arkivin e Filmit Jugosllav (Kinoteka) në Beograd. Thuhet se asht filmi ma i vjetër i xhiruem në Serbi dhe në rajonet fqije. Pjesa “shqiptare” e filmit, e cila fillon në minutën 42:10 dhe zgjat jo ma shumë se 1:16 minuta, kallxon shqiptarë dhe njerëz të tjerë në oborrin e nji hani dhe në nji rrugë tregu aty afër në qytetin mysliman të Novi Pazarit, tash në jugun e Serbisë. Në vitin 1904, Novi Pazar (shqip edhe Pazari i ri apo Tregu i ri, turqisht Yeni Pazar) ishte kryeqyteti i Sanxhakut të Novi Pazarit, madje nga viti 1881 deri 1912 rajoni ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, pra e bashkueme me Kosovën. Ndoshta kështu shpjegohet prania e kaq shumë shqiptarëve – të cilët dallohen nga plisi i bardhë dhe veshjet karakteristike – në nji rajon të banuem sot nga nji shumicë dërrmuese sllavësh myslimanë (boshnjakë), dhe shumë pak shqiptarë.