20 vjet mjerim në baraka, por ministritë luejnë me “të mjerët”

Pamjet që të kujtojnë stallat e kafshëve, tregojnë ma shumë se çdo fjalë mjerimin e jetëve njerëzore.

Në barakat e Lagjes te Spitali, nji numër i konsiderueshëm familjesh, disa prej të cilave tash e 20 vjet, jetojnë në gjendje të randë sociale.

17 vjet mbas luftës, asnji Qeveri nuk u ka dhanë zgjidhje problemit të tyne elementar: nevojës për nji strehë mbi krye.

E tillë asht edhe familja Zymeri, që para kameras së Televizionit Rrokum, qan hallet me shpresë se dikush ka me u ardhë në ndihmë.

E derisa mbi Lumnijen randon edhe gjendja e randë shëndetësore e vajzës dhe burrit të saj, dy hapa ma tej, gjendja e familjes Fetahu nuk ndryshon aspak nga fqinjët e mjerimit.

Deri tash, Remzia nuk ka dashtë me dalë para kameras, por diçka e bani me ndrrue mendje.
8 muej ma parë, baraka e familjes së Vahide Cakollit u rregullue nga nji shoqatë islamike, mbas raportimit të rastit në Televizionin Rrokum, por tash, dy gratë ankohen se nuk munden me sigurue as bukën e gojës, e le mandej barnat po aq të domosdoshme.

E dera e parë ku trokitëm për me adresue hallet e këtyne njerëzve ishte Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por çudia asht se zyrtari Musa Demiri nuk sheh lidhje mes këtyne rasteve dhe Ministrisë ku punon.

Por Kështilltarja Politike e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Iliriana Perteshoni, e demanton Demirin, tue ia kujtue atij përgjegjësitë për rastin e banorëve të barakave të Lagjes së Spitalit.

Ajo thotë se Ministria e Arban Abrashit e ka për detyrë mbledhjen e të dhanave dhe raportimin e nevojave për banesa sociale, ndërsa Ministria e Mjedisit ban vetëm menaxhimin, për çka edhe ka marrë rreth 9 milion euro nga UN Habitat.

E derisa dy ministritë ia gjuejnë përgjegjësinë njana-tjetrës, mvartësi i nji tjetër Ministrie – asaj të Shëndetësisë – thotë se të pastrehët janë strehue për vite të tana në QKUK, e madje edhe në Klinikën e Gjinekologjisë!

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, i ban apel Komunës së Prishtinës për me e zgjidhë çashtjen, duket se ai nuk e din se vetë kryetari Shpend Ahmeti e ka thanë moti se kjo nuk asht kompetencë e tij.

E kështu, pamvaresisht vullnetit të Televizionit Rrokum për me u kontribue familjeve të barakave të Spitalit, e jo vetëm atyne, në zgjidhjen e problemit të tyne jetik, kur ata ta shohin këtë kronikë kanë me e kuptue se kjo sjellje e institucioneve u jep pak shpresë për të ardhmen.