35 milionë euro për të damtuemit e vërshimeve në Maqedoni

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në suaza të seancës së 117­’t duhet me fillue debat për ribalancin e ri të buxhetit për vitin 2016, i cili propozohet me u  sigurue nga mjetet për zhdamtimin e dameve nga vërshimet më 6 Gusht të këtij viti.

Me ribalancin propozohet sigurimi i 35 milionë eurove shtesë për zhdamtimin e tanësishëm nga vërshimet.

Të ardhunat në buxhet janë të pandryshueme dhe mbesin në nivel të projeksionit prej 174.291 milion denarë.

Shpenzimet rriten prej 195.472 milion denarë në 197.410 milion denarë, ndërsa rritet edhe deficiti buxhetor prej 3,6 në 4 për qind dhe ka me arritë 23.119 milion denarë, në vend të 21.181 milion denarë.

Ky asht ribalanci i dytë i Buxhetit këtë vit.

I pari ishte ba në Korrik të këtij viti.

Në suaza të kësaj seance deputetët duhet me diskutue edhe për Propozim­ligjin për punësim të njiqind studentëve ma të mirë të diplomuem në universitetet publike në Republikën e Maqedonisë, propozim­ligjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për shfrytëzim dhe dispozicion me gjanat në pronësi shtetnore dhe me gjanat në pronësi komunale, të Ligjit për zbatim të Buxhetit për vitin 2016 të propozuem nga opozita, të Ligjit për ndalim të vlefshmënisë së ligjit për përcaktim të kushtit për kufizim për kryemje të funksionit publik, qasje të dokumenteve dhe shpallje të bashkëpunimit me organet e sigurisë shtetnore, gjithashtu, nga opozita, si dhe Propozim­ligji për ratifikim të Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës për kolokacion të përfaqësive konsullare diplomatike.

Në lexim të dytë para deputetëve në rend të ditës janë Propozim­ligji plotësues për ndryshime dhe plotësime të ligjit për standarte studentore dhe Propozim­ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për avokatin e popullit.

Në kornizat e kësaj seance duhet të shqyrtohen edhe Propozimi për zgjedhje të anëtarit të Komisionit për barazim të politikës ndëshkuese, Raporti për realizimin e Programit vjetor për punë dhe zhvillim të Agjencisë për aviacion civil për vitin 2015 dhe Propozim­vendimi për dhanie të pëlqimit të propozimit për ndryshime dhe plotësime të planit financiar vjetor të Agjencisë për aviacion civil për vitin 2016.