37 vjet ma parë Nana Terezë u nderue me Çmimin Nobel për Paqe

37 vjet ma parë, në 17 Tetorin e vitit 1979, bamirësja e njohun me origjinë shqiptare, Nanë Tereza, u nderue me Çmimin Nobel për Paqe.

Siç i referohet nji artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuem ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxe Bojaxhi, u ngjit në tribunën ku janë ngjitë njerëzit ma të shquem të botës nga tana fushat, veshun me sarin e grave të varfna indiane dhe e pranoi çmimin vetëm, sepse nji pranim i tillë kishte me ju vle shumë të varfënve të saj.

Edhe pse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 Tetor 1979, kur u ngjit në tribunën e Oslos, tue marrë në dorëzim Çmimin Nobel, të Lumes Nanë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante nji nga fjalimet ma të randësishme.

E Nanë Tereza kallxonte:“Duhet të them se pranoj me shkue në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia me ju folë për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet nëse kishin me pasë ndonji rast tjetër për të ndigjue fjalën e Zotit. Nji herë kam thanë edhe se e kam ma të lehtë me shnosh nji të gërbulun, sesa të përgjigjem në nji intervistë.