400 veta kanë alltia me leje, mes tyne deputetë e politikanë

Në Kosovë aktualisht janë rreth 400 leje të lëshueme nga Ministria e Punëve të Mbrendshme për armëmbajtje (revole) nga personat fizikë. Në këtë numër hyjnë edhe politikanë, deputetë, kryetarë komunash, e shumë ftyra publike të cilët mbartin armë me vete.

Vetë deputetë nuk e shohin problem nëse politikanët mbartin armë, derisa njohës të sigurisë e shohin të panevojshëm.

Mbajtja dhe posedimi i armëve në Kosovë asht ba shqetësim, tue pa numrin e madh të vrasjeve. Përveç numrit të madh të armëve pa leje që gjenden te qytetarët, nji numër i madh asht edhe i armëve me leje.

Por, shqetësues asht edhe mbartja e alltisë në shokë nga personat publikë, siç janë politikanët. Njohës të çashtjeve të sigurisë e shohin të panevojshëm që numër i madh i zyrtarëve publikë të mbajnë armë, përveç ndonji rasti specifik, por jo të abuzohet me to. Ndërsa, vetë deputetët aktualë nuk e shohin problem që politikanët dhe personat tjerë publikë të mbajnë armë me leje.

Aktualisht janë 400 leje për armëmbajtje

Aktualisht në Kosovë janë lëshue rreth 400 leje për armëmbajtje, e në këtë numër hyjnë edhe personat publikë që mbartin armë. Në një përgjigje për gazetën “Zëri”, zyra për media e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme ka thanë se numri i lejeve ndryshon mvarësisht simbas nevojës.