A asht kjo arsyeja që Vetëvendosje nuk mori pjesë në varrimin e ish-Kryeministrit Rexhepi?

Në vitin 2010 kishte vdekë Ali Aliu, i njoftun për veprimtarinë e tij të bujshme politike kushtue çlirimit të Kosovës. I ndjeri ishte baba i drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliut.

Pikërisht gjatë ceremonisë së varrimit të tij, Policia e kishte rrethue turmën tue kërkue arrestimin e aktivistëve të VV’s. Atëbotë, ministër i Punëve të Mbrendshme ishte tashma i ndjeri, Bajram Rexhepi, shkruen Infokusi.

Gjatë kësaj ceremonie, aktivistët e VV’s ishin përleshë fizikisht me pjesëtarët e policisë. Disa prej tyne ishin arrestue. Aty nuk ishte kursye as gazi lotsjellës. Aktivisti Liburn Aliu, rreth këtij rasti kishte thanë se varrimi i babës së tij asht ba në rrethim policor që i ngjante kohës së okupimit serb.

Pak ma shumë se 7 vjet mbas këtij incidenti, në varrimin e ish-ministrit Rexhepi nuk shkoi asnji figurë e Vetëvendosjes. Ata nuk shkuen as në ceremoninë komemorative.

I vetmi i cili kishte ngushëllue familjen Rexhepi nga kjo parti ishte Shpend Ahmeti, por siç duket këtë bani në cilësinë e kryetarit te Prishtinës. Për ma tepër, në fjalët ngushëlluese Ahmeti kishte tregue edhe mospajtimet midis tij dhe tashma të ndjerit Rexhepi.