A ka me i ndalue Amerika myslimanët apo armët mbas sulmit terrorist!

Të ndalohen myslimanët me hye në SHBA apo me u ndalue shitja e armëve me lehtësinë që momentalisht bahet në SHBA?

Kjo asht tema që mundet me thellue edhe ma shumë polarizimet në debatet politike në SHBA, mbasi amerikani me origjinë nga Afganistani, Omar Mateen, vrau 49 persona dhe plagosi 53 të tjerë.

Sulmi në lokalin e natës n’Orlando të Floridës asht ma i randi i tillë në histori t’Amerikës.

2016’ta ash vit zgjedhor në SHBA, mbasi në muejin Nandor, amerikanët do të zgjedhin pasardhësin e presidentit Barack Obama.

Krejt mediat botnore po ndigjojnë me vëmendje ato që kanë për me thanë Hillary Clinton nga demokratët dhe Donald Trump nga republikanët, mbasi nga njani prej tyne mvaret se si SHBA do të përballet me terrorizmin, kontrollimin e armëve, krimet e nxituna nga urrejtja dhe sulmet e nxituna nga ekstremizmi islamik.

Sulmi në lokalin e natës “Pulse” prek nga pak tana temat e sipërmenduna, ndërsa kandidatët që duen me zavendësue presidentin aktual, Barack Obama, kanë nënvizue pjesët që lidhen ma shumë me qendrimet personale dhe partiake të tyne.

Kandidatja demokrate për president të SHBA’s, Hillary Clinton, kërkoi rivendosjen e ndalimit të armëve të zjarrit.

“Na nuk mundemi me ra në kurthin e lobit të armëve, që thotë se nëse nuk arrinë me ndalue çdo sulm me armë, nuk duhet të zmbrapsesh nga përpjekjet për ndalimin e ndonjanit prej tyne”, tha Clinton.

Ajo, në fakt, nuk kerkon heqjen në tanësi të së drejtës së amerikanëve që të kenë armë personale të zjarrit, por në të njajtën kohë mendon se mund të ndërmerren “masa të arsyeshme” që të ofrohet siguri nga armët.