A ka me qenë Suzanna Shkreli shqiptarja e parë në Kongresin Amerikan?

Suzanna Shkreli asht 29 vjeç. Asht grueja ma e re kandidate për Kongresin Amerikan, dhe shqiptarja e parë që kandidon për me qenë pjesë e Kongresit në Shtetet e Bashkueme, tue përfaqësue distriktin 8 të Michigan.

Ajo kishte fitue përballë kandidaturave të tjera demokrate, dhe tash garon përballë republikanit Mike Bishop, i cili ka qenë dy herë, pjesë e Kongresit.

Por, kush asht Suzanna Shkreli?

E lindun dhe rritun në Michigan, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, asht fëmi i dy prindëve nga Ulqini dhe Gruda. Prindët Zef dhe Maria Shkreli, kanë emigrue në Amerikë për nji jetë ma të mirë për katër fëmitë e tyne. Suzanna ka nji motër ma të madhe, Diana, nji vëlla binjak, Paul , dhe Mark, vëllau i vogël.

E rritun në nji shtëpi ku asht inkurajue nga prindët për të studiue shumë, Suzanna përfundoi studimet në Universitetin Perendimor të Michigan, për drejtësi. Mandej, arriti të bahej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmiëve në Shtetet e Bashkueme.