A ka me u publikue këtë javë, raporti i autopsisë së Astrit Deharit?

Raporti i autopsisë së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit nuk dorëzohet këtë javë, edhe pse ishte paralajmërue për nji gja të tillë.

Siç shkruen Indeksonline, tue u thirrë në burime të veta, raporti preliminar i autopsisë së Astrit Deharit asht gati, por që i njajti nuk ka me u dorëzue këtë javë.

“Raporti i autopsisë asht i gatshëm, mirëpo i njajti mvaret edhe prej ekspertizave të tjera nga forenzika. Ka gjasa që dorëzimi i këtij raporti nuk ka me ndodh gjatë kësaj jave”, kanë ba të ditun burimet në fjalë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit nuk e mohojnë apo pohojnë këtë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i kontaktuem nga Indeksonline nuk ka përjashtue nji gja të tillë.

“Nuk e di a ka me na u dorëzue nesër raporti i autopsisë për Astrit Deharin. Edhe unë kisha pas dëshirë që ky raport me dal nesër, mbasi që i kishim sqarue disa gjana”, asht shprehë kryeprokurori Hoxha.

Simbas tij, prokuroria nuk mundet me i ba presion Departamentit të Mjekësisë Ligjore për dorëzimin e kësaj autopsie.

Tashma janë ba dy javë nga vdekja e Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.