A mund të kemi Qeveri gjithëpërfshimëse apo zgjedhje të parakohshme?

Protestat dhe kriza e vazhdueshme politike ka ba që përfaqësuesit diplomatik në Kosovë të binden se Qeveria aktuale nuk mundet me ja dalë në ballë të proceseve të ndjeshme me të cilat pritet të përballet Kosova.

Afrimi i kohës kur do të funksionalizohet Gjykata Speciale po ban që jeta e Qeverisë Mustafa të jetë gjithnji e ma e shkurtë.

Burime të RTV Dukagjinit bajnë të ditun se ka fillue nji proces i konsultave për nji Qeveri gjithëpërfshimëse e cila ka me sigurue stabilitet gjatë aprovimit të demarkacionit me Malin e Zi, si dhe gjatë përmbyllje së disa temave të dialogut me Serbinë përfshi asociaicionin.

Por, kjo qeveri gjithëpërfshimëse, simbas këtyne burimeve, mbi të gjitha do të duhej të siguronte se nuk do të ketë tensione gjatë vitit 2017 kur pritet që të ngriten aktakuzat për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Për nevojën e nji qeverie stabile tashma janë vënë në dijeni kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veselim si dhe dy liderat opozitarë – Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Pikërisht në kombinimin PDK, LDK, AAK e Nisma mendohet se do të mund të ishte edhe kjo qeveri, mbasi që përfaqësuesit nderkombëtarë në vend nuk llogarisin se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti do të mund të ishte pjesë e nji veprimi të tillë.

Nëse deshtojnë këto bisedime, atëherë nuk përjashtohen as zgjedhjet e parakohshme, por ky skenar preferohet ma pak marrë parasysh tensionet që do të përcillnin zgjedhjet eventuale.

Simbas të njajtave burime, demarkacioni dhe Asociacioni kanë qenë vetëm tema paralajmëruese për përplasjen e vërtetë politike në Kosovë e cila ka me fillue me të fillue punën edhe Gjykata Speciale.