A po i humbim tana afatet për liberalizimin e vizave?

Kosova po i humb tana afatet për me marrë liberalizimin e vizave nga BE’ja këtë vit. Kushti për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nuk po plotësohet, dhe për këtë shkak qytetarët e vendit nuk kanë me mujt me lëvizë pa viza në zonën Schengen, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit kanë me vazhdue me mbetë t’izoluem, tue mos mujt me lëvizë lirshëm në zonën Schengen. Kjo, mbasi institucionet e Kosovës nuk po i kryejnë obligimet e tyne të vnueme si kushte nga Bashkimi Europian. Demarkacioni me Malin e Zi, i cili asht kusht i pakapërcyeshëm për me marrë liberalizimin, institucionet nuk e kanë ndërmend me krye, tue qenë se nuk e kanë si prioritet.

Madje, liderët e institucioneve çdo fushatë zgjedhore liberalizimin e kanë pasë si top-prioritet, ani pse asnjiherë nuk u përmbush.

Gazeta “Zëri” javë ma parë ka botue nji dokument të pregaditun nga Ministria e Jashtme e Kosovës, simbas të cilit, Qeveria e Kosovës synonte që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufinit me Malin e Zi me kalue në Parlament prej datës 25-27 Tetor 2016, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE’në shtyhet për vitin tjetër. Por, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtun dje, asht ba e ditun se në seancën e 27 Tetorit nuk ka me qenë pikë e rendit të ditës Demarkacioni i kufinit me Malin e Zi.