A po i vjen fundi qeverisë Rama-Meta!

Nji frazë lapidare e Fatmir Xhafës gjatë debatit të tij t’ashpër me Metën në kryesinë e Kuvendit ka shpeh ma së miri gjendjen e sotme të aleancës së 1 Prillit.

“Ruej qetësinë megjithëse dashnia ka përfundue” i asht drejtue ai Metës. Në fakt duket qartë se asgja nuk i mban ma bashkë Ramën dhe Metën.

Në këto orë të ethshme kur po vendoset për fatin e reformës në drejtësi duket sikur dy partitë e majta i ndan gjithçka. LSI renditet pothuejse në çdo rast mbas pozicioneve të PD’s. Dhe deklaratat e saj janë gjithnji e ma të forta kundër Ramës.

Meta e akuzon për propagandë, Manjani akuzon Xhafën si gënjeshtar, po Manjani afrohet me versionin e Bashës për arsyet se pse u prish n’orët e vona kompromisi i së Merkurës.

Krejt këto tregojnë se perditë e ma shumë po ravijëzohet nji koalicion i ri Basha- Meta.

Si do që të shkojë fati i votimit të reformës këto dy parti nuk kanë ma as objektiva, as moral, as interesa për me qendrue bashkë.

Tash problemi asht nëse prishja mes tyne ka me shkaktue menjiherë zgjedhje të reja.

Ose versioni i dytë asht që Rama me arritë me ba 71 vota për me mbajt në kambë nji qeveri të arrnueme, tue u përpjek me spastrue administratën nga njerëzit e LSI’s dhe me hapë luftën frontale me ta.

Megjithëse dy partitë u futën së bashku në sallën e kuvendit këtë t’Ejte, doket tash sikur ato janë larg, njana-tjetrës.