A po paralajmëron Bajram Gecaj përjashtimin e Shpejtim Bulliqit nga LDK!

Zavendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thanë se deputeti Shpejtim Bulliqi mund të vazhdojë me qenë në nji LDK imagjinare të sajueme në kokën e vet, por jo në LDK’n rugoviane që angazhohet, nuk dorëzohet dhe sfidohet pandalshëm.

Gecaj thekson se po të ishte profesionist sikurse pretendon, Bulliqi do ta përfundonte punën me prezentimin e fakteve, megjithatë ai vazhdon tutje me deklarime, akuza, sajesa dhe aktivitete kryekëput politike

 

Lexoni të plotë postimin e Gecajt në Facebook:

“LDK-izmi DHE PROFESIONALIZMI” I BULLIQIT

Unë kam qenë dhe jam LDK’, paska deklaruar Shpejtim Bulliqi. Ky kështu mund të vazhdoj të jetë në një LDK imagjinare të sajuar në kokën e vet, por jo në LDK-në rugoviane që angazhohet, nuk dorëzohet dhe sfidohet pandalshëm. Po i njëjti Bulliq sipërfaqësor dhe me prirje për të gjetur vetëkënaqësi në qasjen individualiste, pavarësisht dëmeve që shkakton – akuzon liderin e LDK-së (sepse nuk po ma zë goja t’i them liderin e vet) se takimet e fundit po i bëka ‘për konsum të brendshëm’. Ky me spekulim shkon edhe më tutje, por jo më thellë se është dimension që nuk mund ta arrin, duke deklaruar se ofrimi i fakteve ‘nuk ka qenë detyrë e Kryeministrit por e Komisionit Shtetërorë’.

Po nëse këto kanë qenë punë të Komisionit Shtetërorë, pse atëherë e futi hundën në këtë mes njeriu të cilin profesori i tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i nderuari Akademik Hivzi Islami, e akuzon për plagjiaturë dhe të papërgatitur, ndërsa komuna e Podujevës e akuzon per uzurpim të pronës shtetërore. Po të ishte profesionist sikurse pretendon, Bulliqi do ta përfundonte punën me prezantimin e fakteve, megjithatë ai vazhdon tutje me deklarime, akuza, sajesa dhe aktivitete kryekëput politike.

Në LDK janë dhe do të mbesin ata të cilët punojnë me konsekuence dhe përkushtim për partinë dhe për realizimin e objektivave dhe qëndrimeve partiake, jo ata të cilët punën më të madhe dhe kryesoren e kanë zhvilluar mu në drejtim të kundërt. Ata të cilët, edhe pse u ishte dhënë privilegji të futeshin në listën e partisë dhe të zgjedhur nga elektorati i LDK-së, asnjëherë dhe me asnjë veprim nuk i dolën zot partisë së tyre.