AAK: S’përjashtohen zhvillimet e dhunshme, nese votohet Demarkacioni

Partia e Ramush Haradinajt ka paralajmërue se mund të ketë zhvillime të dhunshme nëse do të ketë veprime që mund të çojnë në votim demarkacionin.

Në nji reagim, AAK ju ka ba thirrje deputetëve me votue kundër shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Ky asht reagimi i plotë:

Versioni aktual i demarkacionit e ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore. Tash mbetet që kjo përgjigje të formalizohet edhe me votën kundër të deputetëve në Kuvend.

Vota kundër, që nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e Zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit.

Demarkacioni me Malin e Zi, është një çështje jetike për Kosovën, dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve. Ky proces është mbipartiak. Konkluzionet e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje.

çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, e cila druajmë se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme.

Institucionet e shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të stabilitetit në vend.