Adem Demaçi shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Tiranës

Tirana ka nderue sot politikanin dhe shkrimtarin e njohun kosovar, Adem Demaçi, me titullin “Qytetar Nderi”. Kryetari i Komunës së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzue Adem Demaçit titullin si dhe “Çelësin e Qytetit” me motivacionin e intelektualit të shquem, simbol i rezistencës së gjithanëshme, për liri, pamvarësi dhe prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të pamvarun të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve të të njajtit komb.

“Sot kemi nji rast shumë të veçantë e nuk besoj se ka mujt me pasë rastësi ma të bukur se sa Ditën tonë të Pamvarësisë ta kujtojmë tue i dhanë titullin “Qytetar Nderi”, mikut, vllaut e patriotit të madh, Adem Demaçi. Asht shumë me vend që në nji ditë si kjo të kujtojmë, jo vetëm ato figura që luftuen e shpallën pamvarësinë tonë të parë, 104 vjet ma parë, por çdo shqiptar të mirë që ka luftue për çashtjen shqiptare”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Adem Demaçi falenderoi Tiranën për këtë vlerësim, tue theksue se ka qenë nji dëshirë e tij e përhershme që tanë shqiptarët të festonin të lirë pamvarësinë e tyne.

“Ju falenderoj juve, vllaznit e pamvarshëm të Shqipnisë, të cilën e kemi dashtë të gjithë, se jemi edhe na njisoj si ata. Prandaj, dhe kënaqësia asht shumë e madhe, dëshira juej ka qenë shumë e madhe për neve, e fortë”, tha Adem Demaçi.