Ahmeti: Banesat ishin të zaptueme, vendimin e zbaton Gjykata dhe jo Komuna!

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti asht sqarue sot rreth akcionit të djeshëm të policisë për largimin e 130 familjeve nga banesat në lagjen Dardania.

Ahmeti ka theksue se si shumë projekte të ndërpreme gjatë luftës nji prej këtyne projekteve ishte edhe në Dardani tue theksue se me kohë do të kuptohet se si janë zaptue këto banesa.

 

 

Ky asht postim i plotë:

 

Rreth banesave te Dardanise ( ju lus ta lexoni të plotë)

Në vitin 1999 shumë njerëz kanë hyrë në banesa të ndryshme në Prishtinë. Kështu ndodhi edhe me banesat e ashtuquajtura të Dardanisë. Ne ish sistemin politik, BVI (tash NPB) ka ndërtuar banesa për ndermarrjet shoqërore të ndryshme ku kishte marrë nga 8 përqind të banesave si pjesë e kontrates. Lufta kishte ndërprerë shume prej këtyre projekteve. Një prej këtyre projekteve ishte edhe ajo te Dardania.

Se si janë zaptu banesat sigurisht se do të kuptohet me kohë. Ka pas njerëz me shtëpi të djegura, ka pasur “të fortë” që kanë zaptu për veti e kanë nda tjerëve me para e qera etj. Por, sikurse edhe më shumë banesa tjera të zaptuara, pas një kohe gjyqet janë marr me rastet.

Diku në vitin 2005 pra shumë para fillimit të mandatit tonë, NPB ka paditur palet dhe ka kërkuar lirimin e banesave të Dardanisë për ta përfunduar projektin dhe për ta dorëzuar pronen tek pronaret. Në vitin 2012, gjykata ka vendosur në favor të NpB në të gjitha shkallet, duke thënë se uzurpimi është uzurpim pa marr parasysh rrethanat.

Tash Gjykata ka vendos me e zbatu vendimin. Pra, jo komuna, jo ndonjë instancë tjetër por gjykata.

Unë jam takuar me banorët e banesave në disa here, para dy viteve, para një viti, dhe prapë para një muaji. Ju kam thënë të njëjtën gjë, që komuna nuk mundet që të bëjë atë që po e kërkojnë ata. Së pari, ato banesa nuk janë në pronësi të komunës, në rastin më të mirë janë 8 përqind në pronësi të NPB. Edhe po të ishte pronë, komuna nuk ka të drejtë të privatizojë pronën komunale.

Edhe para dy viteve, edhe para një viti edhe tani ju kam thënë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mundësi që përmes legjislacionit ta mundësoj ndonjë zgjidhje por duke ditur edhe standardet e BE-së, jo sipas asaj çka kërkojnë banorët.

Në takimin e fundit kanë kërkuar nga unë që ta thërras gjykatësin pas krejt vendimeve dhe ti them ta tërhjek apo ta shtyej vendimin. Unë nuk kam kompetenca të tilla dhe në rastin më të mirë kjo do të konsiderohej ndikim në gjyqësor.

Rastet sociale

Komuna e Prishtinës ka obligim që të ndihmojë me asistencë sociale ata që janë në nevojë. Dhe ju bëj thirrje që gjithë atyre që dëshmojnë se janë raste sociale sipas ligjeve në fuqi, të lajmërohen në komunë.

Kemi mbi 1500 familje pa strehim dhe për neve të gjithë janë të barabartë. Nuk mund të jetë arsyetim që kanë më shumë të drejtë ata që i kanë zënë të parët në vitin 1999.

Shumica e palëve kanë kërkuar me i ble ato banesa. Pra, shumica nuk janë raste sociale. Edhe banesat te rrethi i flamurit edhe këto në Dardani janë çështje të pazgjidhura dhe do të duhej të diskutoheshin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ka uzurpime klasike, ka qera mbi qera, mirëpo ka edhe raste sociale, dhe si të tilla nuk mund ti përgjithësojmë.

Uzurpimin nuk duhet ta legalizojmë, por edhe të rrezikuarit duhet ti mbrojmë.

E kuptoj shqetësimin e qytetarëve me skenat e djeshme, dhe bashkëndjej edhe me banorët e banesave, por duhet të jemi të barabartë në trajtimin e qytetarëve, duhet të kemi ndarje të pushteteve në Kosovë, dhe duhet të ndajmë përgjegjësinë sipas kompetencave që kemi.