AKR lidh koalicion me Vetëvendosjen. I merr 2 drejtori

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re kanë nënshkrue sot marrëveshjen e koalicionit në Komunën e Prishtinës.

Përfaqësues të komunës, të cilën e udhëheq Shpend Ahmeti, kanë konfirmue se AKR do t’i ketë dy drejtori.

“Po, sot n’ora 09:00 të mëngjesit asht nënshkrue koalicioni në mes të Vetëvendosjes dhe AKR’s. Kjo e fundit do ti ketë dy drejtori, atë të Kultures dhe ate të Bujqësisë”, thuhet në përgjigjen e tyne.

Besart Vllahinja do të jetë në krye të Drejtorisë së Kulturës ndërsa atë të Bujqësisë e cila do të drejtohet nga Ferat Makolli.

AKR i ka katër ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Vlen të theksohet se Vetëvendosje asht në bashkëqeverisje në këtë komunë edhe me Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës.

 

Kjo asht komunikata e AKR’s për këtë marrëveshje të koalicionit:

Sot Aleanca Kosova e Re (AKR) ka zyrtarizuar koalicionin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

Pas shumë mosmarrëveshje dhe mos gjetjes të një gjuhe të përbashkët në asamblenë komunale të Prishtinës, dhe bllokimit të shumë çështjeve në interes të qytetarëve të Prishtinës, AKR-ja ka vendosur që të lidh koalicion qeverisës lokal për të shtyrë proceset përpara në interes të qytetarëve.

“Mbi bazën e vullnetit politik dhe nevojën për zhbllokimin e gjendjes në kuvendin komunal të komunës së Prishtinës dhe me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira publike për qytetarë në komunën e Prishtinës, lidhet kjo marrëveshje koalicioni qeverisës lokal mes dy subjekteve politike : Lëvizjes Vetëvendosje përfaqësuar nga kryetari i komunës së Prishtinës dhe nga kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal – dhe Aleancës Kosova e Re – përfaqësuar nga kryetari i degës së Prishtinës dhe kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal.”
AKR-ja në kuadër të koalicionit do të ketë dy drejtori, drejtorinë e bujqësisë dhe drejtorinë e kulturës në komunën e Prishtinës.
AKR është e angazhuar që të gjitha proceset në nivel vendi dhe komune të i shtyjë përpara në të mirë të qytetarëve, dhe edhe ky koalicion vjen për shkak të një parimi të tillë, pasi për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike, pasojat janë duke i vuajtur qytetarët.