Kush i ngriti aktakuzë Agim Bahtirit dhe 2 personave tjerë

Prokuroria Speciale ka ba të ditun se ka ngrit aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe dy personave tjerë për veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

 

Qe komunikata e plotë e Prokurorisë:
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër tre të pandehurve (A.B., H.F., G.K.), për veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

Në mesin e të akuzuarve është kryetari i Komunës së Mitrovicës, si dhe shefi i prokurimit pranë kësaj komune, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë, se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Në aktakuzë, po ashtu është i përfshirë edhe drejtori i një operatori ekonomik, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar mirë se duke vepruar si përfaqësues i atij operatori ka paraqitur ofertë bazuar në një marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i së cilës ishte që organizatori në rastin konkret Komuna e Mitrovicës, ta pranojë ofertën e tillë duke e kufizuar konkurrencën e lirë, ashtu që me rastin e lidhjes së një kontrate të lidhur në mes të autoritetit kontraktues, Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik “HESALIGHT A/S me çmimin prej 767.940.00 €, kanë zbatuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik.

Këto veprime janë kryer me qëllim që të pandehurit t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe Komunës së Mitrovicës, gjegjësisht buxhetit të Republikës së Kosovës.

Andaj me këto veprime të pandehurit: A.B. dhe H.F. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri G.K. ka kryer veprën penale: Marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, nga neni 309 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.