Akuza e Kotzias: Politikanët shqiptarë financohen nga prodhimi i drogës!

Akuza të forta vijnë nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Simbas kryediplomatit grek shumë prej politikanëve shqiptarë financohen nga aktivitetet e kultivimit të drogës, ndërkohë që e ka rendit Shqipninë si të parin në botë, për sa i përket prodhimit të narkotikëve, raporton Abcnews.

Tue folë nga Selaniku, ai ka dhanë edhe rekomandime për Tiranën zyrtare.

“Ju kemi thanë që të marrin rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, që me kaq zemërgjanësi ju dha statusi në të kaluemen. Atyne ju duhet me implementue politika kundër krimit të organizuem dhe me luftue drogën, sepse asht vendi i parë në botë për prodhimin e drogës dhe shumë politikanë ndoshta financohen nga ky aktivitet”, tha diplomati grek.

Ma tej tue fol për marrëdhaniet Athinë-Tiranë, kreu i diplomacisë greke nënvizoi se elita politike shqiptare ka kallxue qartë sheja nacionalizmi të teprueme.

Edhe refuzimi i tyne për me i dhanë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas, asht tregues i kësaj tendence”, asht shpreh Kotzias përpara audiencës.

Këto deklarata të Kotzias vijnë mbas intervistës së kryeministrit Edi Rama për televizionin grek Skai, ku sqaroi çashtjen e prishjeve të banesave në Himarë dhe kërkoi nga Greqia me heqë ligjin e luftës.

Mes kryeministrit shqiptar dhe autoriteteve greke ka pasë shumë replika kohëve të fundit, që janë nxit nga deklaratat e dy palëve.