Akuza prej Washingtoni: Droga po perdoret për me ble zgjedhjet n’Shqipni!

Problemi i drogës në Shqipni duket se merr përmasa të tjera.

Në nji shkrim të publikuem nga HuffPost, theksohet se problemi i drogës në Shqipni po prek krejt Europën.

Interesant asht fakti se autori i shkrimit asht Luke Coffey, drejtor i Qendrës për Politikat e Jashtme në “Heritage Foundation”, nji za i randësishëm në Washington.

Bahet fjalë për nji think-tank konservator dhe vetë Coffey asht nji këshilltar politik dhe ish-veteran lufte.

Autori shkon larg, kur dyshon se shkak i përhapjes së drogës janë perpjekjet e qeverisë për me ruejt pushtetin me paratë e drogës.

“Ajo që e ban unike situatën në Shqipni janë akuzat, që vijnë sidomos nga Partia Demokratike e opozitës, se zyrtarë të naltë të Partisë Socialiste janë të lidhun ose perfitojnë nga tregtia e drogës. Kryeministri Edi Rama asht akuzë vazhdimisht se nuk ka ba mjaftueshëm për me ndalue tregtinë e drogës në Europë. Dhe ministri i Mbrendshëm, Saimir Tahiri asht akuzue se mbron dhe madje mbulon ata që janë të perfshimë në tregtinë e drogës.

Këto akuza ngrejnë nji pikëpyetje: Çfarë e motivon elitën shqiptare që të përzihet me botën e errët të krimit të organizuem dhe kontrabandës së drogës?

Ndoshta përfitime personale. Ndoshta kjo asht pjesë e nji plani ma të gjanë për me mbajt pushtetin.

Shqipnia vuen nga korrupcioni politik dhe ekonomik, nëse jo ma shumë se pjesa tjetër e Ballkanit.

Miliona dollarë mund të blejnë gjykatësit, gazetarët dhe prokurorët për me sigurue fitoren elektorale në të ardhmen.

Cilido qoftë motivimi, diçka e dyshimtë po ndodh”.

Autori përmend rastet e nji avioni të ulun së fundmi në Ishëm dhe më pas të Klemend Balilit në Sarandë.

“Vitin e kaluem, autoritetet shqiptare pohuen se kanë shkatërrue 99.2 përqind të marihuanës në vend. Kjo asht e çuditshme.

Këtë vit, policia thotë se ka shkatërrue 1.7 milionë rrajë kanabis, tre herë ma shumë se shuma e shkatërrueme vitin e shkueme. Matematika nuk shkon”.

“Niveli i korrupcionit buron nga elita politika dhe roli i Shqipnisë në tregtinë e paligjshme të drogës- të dyja me bashkëpunimin e supozuem të zyrtarëve të naltë qeveritarë- duhet me shqetësue hartuesit e politikave në Washington dhe në mbanë Europën.

Jo vetëm sepse kjo po ndodh në nji vend që do të bahet anëtar i komunitetit Euro-Atlantik, por sepse rrezikon me destabilizue nji rajon tashma të paqëndrueshëm”  Mapo