Alarmi i shërbimeve sekrete: ISIS n’Europë, gati për sulme

Nga 60 deri në 80 terroristë të ISIS ndodhen në Europë, gati për me ndërmarrë sulme. Alarmi vjen nga shefi i Antiterrorit në Holandë, Dick Schoof, mbi bazën e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës.

Në nji intervistë për “Associated Press”, Schoof tha se Shteti Islamik po ju përcjell luftarëve të mundshëm mesazhin që mos me udhëtue drejt Sirisë dhe Irakut, por të pregaditin sulme në kontinentin e vjetër.

Simbas tij, përgjatë 6 muejve të fundit, numri i luftarëve të huej terroristë nuk ishte rritë, por fakti se ata nuk po udhëtojnë ma nuk nënkupton se rreziku potencial i atyne që kanë mbërri në Europë ma herët asht reduktue.

Operacionet ushtarake për me i largue militantët nga kalifati i vetëshpallun në Siri dhe Irak po ndikojnë në shpërndamjen e luftarëve dhe mbështetësve të grupit ekstremist.

Kjo me shumë gjasë, ka me çue drejt nji rritje graduale të refugjatëve që kanë me përba kërcënim për sigurinë kombëtare të vendeve europiane. Simbas zyrtarit holandez, nga 4 mijë deri në 5 mijë terroristë gjenden në Irak dhe Siri.