Ambasada gjermane me thirrje të preme për formimin e institucioneve

Ambasada gjermane në Kosovë ka thanë se Kosova ka shumë punë përpara dhe duhet me i krijuse sa ma shpejt institucionet sepse nuk ka kohë për me humbe.

Ambasada Gjermane këshillon partitë politike që të shpenzojnë pak energji për shpifje ndaj kundërshtarit përkatës politik dhe ma shumë energji për kompromise konstruktive të pranueshme.

Për ma shumë, lexoni intervistën e plotë:

Telegrafi: Cili është qëndrimi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për vonesat në krijimin e institucioneve, si Kuvendit dhe Qeverisë pas zgjedhjeve të 11 qershorit?

Ambasada Gjermane: Kosova po përballet me shumë sfida urgjente. Trajtimi i tyre kërkon një qeveri funksionale. Ne shpresojmë që institucionet të themelohen së shpejti pasi që Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Telegrafi: Si i vlerësoni mosmarrëveshjet politike për krijimin e institucioneve dhe si do të ndikojnë këto në jetën e qytetarëve të Kosovës?

Ambasada Gjermane: Në një demokraci parlamentare, përfaqësuesit e zgjedhur kanë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre. Ata duhet të përkthejnë rezultatet e zgjedhjeve në një shumicë parlamentare konstruktive.

Kjo kërkon kompromise për hir të vendit dhe popullsisë së saj. Shumë sfida të menjëhershme, si nxitja e rritjes së ekonomisë së vendit dhe punësimi ose reforma e sistemit të kujdesit shëndetësor, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Është e rëndësishme që përfaqësuesit e zgjedhur të nderojnë besimin e votuesve të tyre dhe së shpejti të formojnë një qeveri e cila mund t’i adresojë (trajtoj) këto sfida.

Telegrafi: Cila është këshilla e Ambasadës Gjermane për të ecur përpara me krijimin e Qeverisë?

Ambasada Gjermane: Këshilla jonë do të ishte: Më pak energji për shpifje ndaj kundërshtarit përkatës politik dhe më shumë energji për kompromise konstruktive të pranueshme.

Telegrafi: A mund të ketë ndihmë nga shtetet mike si Gjermania për zgjidhjen e krizës politike?

Ambasada Gjermane: Janë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës ata që kanë sjellë këtë krizë dhe duhet të jenë përgjegjës për të gjetur një rrugë për ecur përpara. Gjermania do të punojë me çdo qeveri që përfaqëson shumicën në Parlament. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën dhe qytetarët e saj drejt një të ardhmeje të begatë në Evropë.

Telegrafi: Nëse dështon PAN-i ( PDK- AAK- NISMA) për ta krijuar Qeverinë a mund ta bëjë këtë partia e dytë VV ( Vetëvendosje) me subjektet tjera apo duhet të shkohet në zgjedhje?

Ambasada Gjermane: Kushtetuta e Kosovës përcakton mënyrën se si mund të themelohet një qeveri e re. Një gjë është e qartë: nevojitet një shumicë prej të paktën 61 mandateve. Me sa duket në këtë moment kjo nuk po arrihet nga asnjëra palë.