Fondi amerikan prej 400 milioneve per Kosoven. Ne krye te tij Petrit Selimi. Ambasadori Delawie ofron perkrahje

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka ofrue mbështetje të plotë dhe të parezervë të ambasadës amerikane për zyren e MCC’s në Kosovë.

Kështu deklaroi ai, në nji takim me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, njiherit udhëheqës i ekipit drejtues i programit zhvillimor të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

Në nji komunikatë për media, bahet e ditun se në takim ishin edhe zyrtarë të Agjencisë së Shteteve të Bashkueme për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Ambasadori Delawie, deklaroi se, e ka pritë me pa durim hapjen e zyres dhe krijimin e ekipit për programin zhvillimor MCC. Ai ka premtue mbështetjen e plotë dhe të parezervë të ambasadës amerikane dhe të personelit të USAID për zyrën e MCC’s në Kosovë. Ai tha se, “zhvillimi i suksesshëm i këtij programi ka me sjellë investime të mëdha në fusha kryesore të ekonomisë dhe shoqnisë kosovare”.

Selimi ka shprehë mirënjohje për interesimin e ambasadës amerikane për nisjen e këtij programi, tue vlerësue kontributin e qeverisë amerikane për zhvillimin e Kosovës.

“Shefi i diplomacisë kosovare, gjithashtu njoftoi ambasadorin amerikan për progresin në themelimin e Zyres kosovare të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit, si dhe për programin e punës përmes të cilit, synohet përshpejtimi i përfundimit të kontraktimit të programit të nismave “Compact”, që synon investime në fushat kritike të ekonomisë dhe shoqnisë kosovare. Këto fusha, ndër të tjera, përfshijnë arsimin, sundimin e së drejtës, bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe inovacionin”, thuhet në komunikatë.

Kosova asht i vetmi shtet në Ballkan që ka fitue mundësinë e krijimit të programit të nismave “Compact” të MCC-së. Vlera e fondit mundet me arrit në mbi 400 milionë euro, mvarësisht nga projektet e dorëzueme.