Ambasadori amerikan përmend me emna politikanët kriminela të Shqipnisë. Në mesin e tyne edhe miku ma i ngusht i Edi Ramës

Ambasadori i SHBA’ve në Shqipni, Donald Lu në nji bashkëbisedim live në Facebook, iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa bani publike edhe emnat e atyne politikanëve, që simbas tij, konsiderohen kriminela e të korruptuem.

Lu tha se asht përparim i jashtëzakonshëm, mbasi Shqipnia i ka dhanë lamtumirën nji numri politikanësh kriminela dhe të korruptuem, tue vazhdue mandej me emnat e tyne: Xhelili, Frroku, Muhameti, Petraj, Ndoka dhe Kokëdhima. Ai shtoi se edhe dy të tjerë përballen me akuza penale, Armando Prenga dhe Elvis Rroshi.

Përgjigjia e plotë e ambasadorit amerikan:

Katerina: Pyetja e parë është për korrupsionin dhe vjen nga Dritan Qoku.Lu, jam i interesuar te blej një palë syze me të cilat shohim vetëm mangësitë në drejtësi dhe nuk vëzhgojmë as korrupsion dhe as kanabis. Nëse nuk shiten andej nga SOROS-i, a i fal ata të tuat?

Ambasadori Lu: Dritan, faleminderit për këtë pyetje të parë shumë pikante. Patjetër mund t’i merrni syzet e mia hua. I vetmi problem është që nuk shoh asgjë pa to. Më lejo të them disa fjalë për korrupsionin dhe narkotikët. Së pari, në dy vitet e mia të shkurtra këtu, kam parë përparim të pabesueshëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. E para, siç e dini, me anë të reformës në drejtësi – për Shqipërinë po vijnë ndryshime të mëdha për sa i përket krijimit të prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, të cilat do të jenë në gjendje të luftojnë korrupsionin e nivelit të lartë si kurrë më parë. Së dyti, për dekriminalizimin, i kemi dhënë lamtumirën një numri politikanësh kriminelë dhe të korruptuar – mes tyre, më vijnë në mend Xhelili, Frroku, Muhameti, Petraj, Ndoka dhe Kokëdhima. Kemi edhe nja dy që po përballen me akuza penale – Prenga dhe Rroshi – por teksa flasim janë në gjyq. Mendoj që ky është përparim i jashtëzakonshëm, jo vetëm në legjislacion por edhe i kulturës.

Populli shqiptar është i lodhur nga këta zyrtarë të korruptuar dhe do që të shohë ndryshim. Për sa i përket drogës, e di që më vonë në këtë bisedë me gjasë do kemi disa pyetje shumë specifike për drogën, por po filloj duke thënë se unë vlerësoj veprimin më shumë se fjalët ndaj pyetja kryesore nuk duhet të jetë se kush mund të ankohet me zë më të lartë për problemin e drogës por se si shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë, si të pranojmë problemet që ekzistojnë këtu dhe të punojmë sëbashku për t’i luftuar ato.