Ambasadori francez për bosin shqiptar të drogës. Harxhuem miliona me kap, ju e liruet!

Me nji gjuhë tejet diplomatike, por me nji shqetësim të randë, ambasadori francez në Shqipni u ka shkru letër zyrtare krenëve të shtetit dhe Drejtësisë në lidhje me lirimin nga Gjykata të Domart Konjarit.

Diplomati francez në Tiranë, Bernard Fitoussi, kujton në letër akuzat e randa për Konjarin dhe thekson se shteti francez ka angazhu dhetna policë e hetues për zbardhjen e krimeve të Konjarit tue shpenzu miliona euro.
“I ftuem i nji vendi mik dhe aleat, nuk me takon të kritikoj vendimin e nji trupi gjykues të pamvarun. Due veçanërisht të tërheq vemendjen tuej mbi interpretimin që mund t’i bahet vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Randa të datës 14 Mars 2016, për heqjen e masës së arrestit me burg ndaj D.K (Domart Konjari)”, thekson ambasadori në letër.

DOSJA N’SHQIPNI

Ambasadori francez Bernard Fitoussi informon krerët e shtetit dhe Drejtësisë se në zbatim të Konventës europiane për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale e ratifikuar nga Shqipëria, Drejtësia franceze i ka kërkuar Drejtësisë shqiptare të ushtrojë ndjekjen penale ndaj këtij shtetasi shqiptar.
“Kjo procedurë, e quajtur ‘denoncim zyrtar’, është filluar nga zv/ prokurori i Rennes­s dhe dërguar në frëngjisht e në shqip Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë më 16 nëntor 2015, vetëm 3 ditë pas dënimit të D.K (Domart Konjarit)”, thuhet më tej në letër.

Sipas diplomatit, ky dokument prej 34 faqesh përmbledh 28 volume procedure, për të cilët, disa dhjetëra e mijëra orë të policëve, magjistratëve, ose disa miliona euro janë investuar nga Franca që prej vitit 2011.

LIRIMI

Domart Konjari, i arrestuar në Korçë për dhënie ryshfeti ndaj një polici dhe përdorim pasaporte të falsifikuar, u lirua pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pas një procedure të paqartë.
Vendimi për lirimin e tij ende nuk është zbardhur, ndërsa Prokuroria e ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka hedhur poshtë akuzat e Gjykates.