Amerika n’alarm: Pret uraganin ma të fuqishëm në 12 vjetet e fundit (foto)

Texasi po pregaditet për mbërritjen e uraganit “Harvey” , i cilësuem si stuhia ma e keqe që pritet me goditë kontinentin amerikan këto 12 vjet.

Stuhia e kategorisë së tretë, ndodhet aktualisht në Gjirin e Meksikës dhe pritet me mbërrijë në brigjet amerikane të Premten në mbramje.

Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi se shiu i furishëm mund të sjellë përmbytje të rrezikshme për jetën e qytetarëve në Hjuston dhe në zonën përreth tij.

Stuhia ka me goditë gjithashtu zemrën e industrisë së rafinimit të naftës në Texas, raporton BBC.

Kompanitë e energjisë kanë evakuue stafin nga platformat në det të hapun në Gjirin e Meksikës, ndërsa në tokë rafineritë e naftës po mbyllen si parapërgaditje për stuhinë.

Ndërkohë, komunitetet në rrugën e projektueme që pritet me goditë stuhia po pregaditen gjithashtu për mbërritjen e saj.