Anëtari i kryesisë së VV i thirrte aktivistët me ndjekë udhën e Leninit

Më 20 Dhetor 2012, anëtari i kryesisë në “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, jau kishte shpërnda anëtarëve nji e-mail, bashkë me nji fragment të shkëputun nga “Vepra të zgjedhura” të Vladimir Lenin mbi qëndrimin e partisë punëtore mbi fenë. Kishte kërkue prej tyne që patjetër me lexue dhe me mesue prej logjikës së tij mbi linjën që duhet ndjekë Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, tue aludue në zbatimin teorik, ai kishte kërkue nga militantët që mos me ba nji zbatim mekanik, për të cilin mandej kishte mujt m’i qortue edhe vetë Lenini.

Kjo asht përmbajtja e e-mailit nga Zgjim Hyseni, të cilin Gazetës Express ia ka dërgue nji aktivist i “Vetëvendosje”:

“Përshëndetje miq!

Të bashkëlidhur e gjeni një fragment të shkëputur nga Lenini “Mbi qëndrimin e partisë punëtore ndaj fesë”. Besoj se është mjaft e rëndësishme të mësohet prej tij logjika mbi linjën që duhet ndjekur edhe nga ne. Sigurisht, pa bërë ndonjë zbatim mekanik për të cilin do të na qortonte vetë Lenini.

Shëndet!

Zgjimi”, shkruente Hyseni në e-mailin e tij.

Vladimir Lenin ishte nji revolucionar rus, politikan komunist, pjesëmarrës dhe lider në Revolucionin e Tetorit, udhëheqës i parë i Republikës Sovjetike Socialiste Ruse dhe që nga viti 1922 ishte edhe lideri i parë i Bashkimit Sovjetik.

Ndërsa, ky ishte fragmenti i Leninit, të cilin Hyseni kishte kërkue nga aktivistët që patjetër me lexue:

Mbi qëndrimin e partisë punëtore ndaj fesë

Ne duhet të luftojmë kundër fesë. Kjo është abeceja e gjithë materializmit dhe, si pasojë e marksizmit. Por marksizmi nuk është materializëm që ndalet te abeceja. Marksizmi shkon më larg. Ai thotë: duhet të dish të luftosh kundër fesë, dhe për këtë duhet të shpjegosh në mënyrë materialiste burimin e besimit dhe të fesë te masat. Lufta kundër fesë nuk mund të kufizohet me një propagandë ideologjike abstrakte, nuk mund të përmblidhet në një propagandë të tillë; kjo luftë duhet të lidhet me praktikën konkrete të lëvizjes së klasës që synon në zhdukjen e rrënjëve shoqërore të fesë. Pse mbahet e gjallë feja në shtresat e prapambetura të proletariatit të qytetit, në shtresat e gjëra të gjysmëproletariatit, si dhe në masën e fshatarësisë? Për shkak të padijes së popullit përgjigjet progresisti borgjez, radikali ose materialisti borgjez. Si pasojë, poshtë feja, rroftë ateizmi! Përhapja e ideve ateiste është detyra jonë kryesore. Marksisti thotë: nuk është e vërtetë. Një pikëpamje e tillë shpreh idenë e një kulture të kulluar borgjeze të ngushtë dhe të përciptë. Një pikëpamje e tillë nuk i shpjegon rrënjët e fesë në mënyrë të thellë, nuk i shpjegon në mënyrë materialiste, por në mënyrë idealiste.

Në vendet kapitaliste të sotme këto rrënjë janë, kryesisht, rrënjë shoqërore. Shtypja shoqërore e masave punonjëse, pafuqia e tyre në dukje e plotë përpara forcave të verbra të kapitalizmit, i cili u shkakton çdo ditë dhe çdo orë mijëra herë më shumë vuajtje të tmerrshme, mundime të egra njerëzve të thjeshtë të punës, se çdo ngjarje e jashtëzakonshme, si luftërat, tërmetet etj. “Frika krijoi perënditë”. Frika përpara forcës së verbër të kapitalit, e cila është e verbër, sepse nuk mund të parashikohet nga masat e popullit, e cila në çdo hap të jetës së proletariatit rrezikon t’i sjell dhe i sjell një rrënim të “befasishëm”, “të papritur”, “të rastit”, shkatërrimin, shndërrimin në lypës, në pauper, në prostitutë, vdekjen nga uria – ja rrënjët e fesë së sotme. Asnjë libër sqarues nuk do të jetë në gjendje të çrrënjosë fenë prej masave të shtypura nga skllavëria kapitaliste, që varen nga forcat e verbra shkatërrimtare të kapitalizmit, derisa vetë këto masa të mos mësohen të luftojnë të bashkuara, të organizuara, në mënyrë sistematike dhe të ndërgjegjshme kundër këtyre rrënjëve të fesë, kundër sundimit të kapitalit në të gjitha format.

Të vësh një kufi absolut, të pakapërcyeshëm midis propagandës teorike të ateizmit, dmth zhdukjes së besimeve fetare në disa shtresa të caktuara të proletariatit, dhe suksesit, zhvillimit, kushteve të luftës së klasës së këtyre shtresave – do të thotë të arsyetosh në mënyrë jodialektike, të shndërrosh në kufi absolut një kufi që është i lëvizshëm, relativ, do të thotë të shkëputësh me dhunë diçka që është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me realitetin e jetës. Të marrim një shembull. Proletariati i një zone të caktuar dhe i një dege të caktuar të industrisë ndahet, ta zëmë, në një shtresë të përparuar socialdemokratësh mjaft të ndërgjegjshëm, të cilët janë, sigurisht, ateistë, dhe në një shtresë punëtorësh mjaft të prapambetur, të lidhur ende me fshatin dhe me fshatarësinë që besojnë zotin, shkojnë në kishë ose bile janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të priftit të vendit, i cili organizon ta zëmë, një bashkim punëtor kristian. Ta zëmë, pastaj, se lufta ekonomike në këtë zonë çon në grevë. Për marksistin është e domosdoshme që suksesin e lëvizjes greviste ta vërë në plan të parë. Është e domosdoshme të luftoj me vendosmëri kundër ndarjes së punëtorëve në këtë luftë ne ateistë dhe kristianë, të ndaloj me vendosmëri këtë ndarje. Predikimi ateist në këto kushte mund të jetë i tepërt dhe i dëmshëm, jo nga pikëpamja e arsyetimeve banale në lidhje me rrezikun se mos tremben dhe largohen shtresat e prapambetura, se mos e humbasim mandatin në zgjedhjet etj, por nga pikëpamja e përparimit të vërtetë të luftës së klasës, e cila në kushtet e shoqërisë kapitaliste të sotme do t’ i afrojë 100 herë më mirë punëtorët kristianë me socialdemokracinë dhe me ateizmin sesa predikimi i thatë ateist. Predikuesi i ateizmit në një çast të tillë dhe në kushte të tilla do të bënte vetëm lojën e priftit dhe të priftërinjve, të cilët pikërisht atë presin, që ndarja e punëtorëve në bazë të kriterit të pjesëmarrjes së tyre në grevë të zëvendësohet me ndarjen në bazë të kriterit të besimit të tyre te zoti.

Marksisti duhet të dijë të vlerësojë gjithë gjendjen konkrete, të gjejë gjithnjë kufirin midis anarkizmit dhe oportunizmit (ky kufi është relativ, i lëvizshëm, i ndryshueshëm, por ai ekziston), të mos bjerë as në “revolucionarizmin” abstrakt, me fjalë, dhe praktikisht të zbrazët të anarkizmit, as në filistinizmin dhe në oportunizmin e borgjezit të vogël ose të intelektualit liberal, i cili ka frikë nga lufta kundër fesë, e harron këtë detyrë të vet, pajtohet me besimin te zoti, udhëhiqet nga interesat e luftës së klasës, por nga një llogari e ulët, e dobët: të mos u prishet qejfi, të mos largohen, të mos tremben, udhëhiqet nga pranimi shumë i urtë: “jeto dhe lëri edhe të tjerët të jetojnë”, etj., etj.

Dhe sikur, për shembull, një prift të hynte në partinë socialdemokrate dhe të zhvillonte në këtë parti si punë të tij kryesore dhe pothuajse si të vetmen punë predikimin aktiv të pikëpamjeve fetare, atëherë partia patjetër do të duhej ta përjashtonte nga radhët e veta.

Një shembull tjetër: a mund të dënohen njëlloj në të gjitha kushtet anëtarët e partisë socialdemokrate që deklarojnë: “socializmi është feja ime” dhe predikojnë pikëpamje që i përgjigjen një deklarate të tillë? Jo. Devijimi nga marksizmi (dhe, si pasojë, edhe nga socializmi) këtu është i padiskutueshëm, por rëndësia e këtij devijimi, si të thuash, pesha e tij specifike mund të ndryshojë në rrethana të ndryshme. Tjetër punë është në qoftë se një agjitator ose një njeri që flet përpara masës punëtore thotë kështu për të qenë më i kuptueshëm, për ta filluar paraqitjen e tij, për t’i përcaktuar në mënyrë më konkrete pikëpamjet e veta me terma që janë më të zakonshme për masën e pazhvilluar. Tjetër është, në qoftë se një shkrimtar fillon të predikojë “ndërtimin e zotit” ose socializmin e ndërtuesve të zotit (për shembull, në frymën e Lunaçarskit e K0). Në qoftë se në rastin e parë dënimi mund të ishte një pretekst pa vend, ose bile një kufizimin pa vend i lirisë së agjitatorit, i lirisë së ndikimit “pedagogjik”, në rastin e dytë dënimi nga ana e partisë është i domosdoshëm dhe i detyrueshëm. Teza: “socializmi është një fe” për disa është një formë për të kaluar nga feja në socializmin, për disa të tjerë – nga socializmi në fenë.

Fragment i shkëputur nga ”Vepra të zgjedhura” – V.I Lenin

20786634-1643842622355320-1494854237-n_1502457929-7035568