Ante Gotovina emnohet këshilltar i sigurisë shtetnore në Kroaci, ‘çarten’ serbët

Gjenerali i njohun kroat, Ante Gotovina asht emnue sot për këshilltar të veçantë të ministrit të Mbrojtjes kroat dhe zv/kryeministrit, Damir Krsticevic. Ai ka me u marrë me sistemin e sigurisë shtetnore dhe këtë punë ka me ba pa pagesë.

Vendimin për emnimin e Gotovinës e ka nënshkrue kryeministri, Andrej Plenkovic në mbledhjen e sotme të qeverisë kroatë në Vukovar.

Gotivina, simbas mediave kroate, ka me u marrë me sistemin e sigurisë shtetnore, të cilin po e zhvillon Krsticevic, por ka me qenë i angazhuem simbas nevojës edhe në çashtje tjera që lidhen me sigurinë.

Gotovina për këtë detyrë ka pasë të drejt për pagesë, por ai, siç thuhet, ka insistue që këtë punë me ba pa u pague.

Ministri kroat i Mbrojtjes ka thanë se asht i lumtun që Gotovina ka pranue me u angazhue pranë tij, sepse me këtë edhe praktikisht fillon angazhimi i ish ushtarëve dhe oficerëve profesionistë, të cilët me ditunitë dhe përvojat e tyne munden me kontribue në sigurinë kombëtare dhe zhvillimin e Forcave të Armatosuna, transmeton lajmi.net.

Ky lajm nuk asht pritë hiç mirë në Serbi. Ministri serb për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Aleksandar Vulin ka thanë se ky asht lëndim për tana viktimat dhe të larguemit gjatë operacionit “Oluja” (Stuhia).

Gotovina ka qenë i akuzuem nga Gjykata e Hagës për krime lufte, por asht lirue si i pafajshëm.