Anton Quni kallxon qysh duhet me u shëndrrue FSK në FAK

Qendrimi i Listës Serbe për shndërrimin e FSK’s, në Forca të Armatosuna po vazhdon me mbajtë peng shndërrimin e kësaj force në ushtri.

Ndonëse, Qeveria e Kosovës, e ka nda buxhetin e nevojshëm për transformimin e FSK’s, deputetët e Listës Serbe po vazhdojnë me bllokue ketë proces.

Deputeti i LDK’s, Anton Quni asht optimist se bashkë me SHBA’të dhe NATO’n kemi me arritë me i sigurue serbët se Ushtria e Kosovës, nuk ka me qenë rrezik për ta, por ka me ofrue ma shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon.

“Në kushtet e rritjes së kercënimeve globale sidomos nga terrorizmi botnor dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë Ushtrinë e vet asht shumë e madhe. Nëpërmjet Ushtrisë, Kosova realizon marrëdhanie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO’n. Në këtë aspekt, FSK i ka kapacitetet për me u shndërrue në FAK dhe me ndihmën e NATO’s dhe SHBA’ve ka me vazhdue me rritë kapacitetet e saj mbrojtëse”, ka deklarue Quni për Indeksonline.

Quni thotë se asht për me u përshëndet vendimi i Kongresit Amerikan, i cili detyron Administratën Amerikane me u angazhue dhe me ndihmue Kosovën për me u përgaditë për Programin e Partneritetit për Paqe dhe për anëtarësim në NATO.

“Kjo do të thotë se SHBA’të kanë me u angazhue në të gjitha fazat që nga shndërrimi i FSK’s në FAK e deri në pranimin e Kosovës në NATO. Për Kosovën partneriteti me SHBA’t edhe në fushën ushtarake asht shumë i randësishëm për sigurinë e saj dhe për me hapë perspektiva të integrimeve dhe të përfshimjes në agjenda të randësishme nderkombëtare”, ka theksue Quni.

Për shndërrimin e FSK’s në Forca të Armatosuna kërkohen 2/3 e votave të dyfishta në Kuvendin e Kosovës.