Arabia Saudita ‘fajtor’ i grushtit të shtetit në Turqi?!

Burimi asht Mujtahidd (@mujtahidd), nji llogari në Twitter, mbas të cilës qëndron nji informator i vendosun në shkallët më të naltta të hierarkisë në Abu Dhabi dhe Riad dhe me lidhje të forta me familjet mbretnore të Gjirit; asht ai që zbulon se në grushtin e shtetit në Ankara, ka pasë përfshimje të Emirateve të Bashkueme Arabe dhe Arabisë Saudite

Në veçanti, dalin figurat e dy ministrave të mbrojtjes: Mohammed bin Zayed Al Nahyan (Princi i Kunorës i Abu Dhabit) dhe Mohammad bin Salman, anëtar i familjes saudite dhe Zavendëskryeministër, të cilët kishin paraprakisht dijeni për grushtin e shtetit. Ky i fundit, simbas burimit, tash po përpiqet që me mbulue “skandalin”, tue i pague shtrejtë turqit për heshtjen e tyne.

Përfshimja e monarkive të Gjirit Persik asht konfirmue edhe nga burime iraniane: simbas agjencisë Fars, Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në nji takim të mbyllun ka shprehë keqardhjen e tij, për faktin se “disa vende si Arabia dhe Katari ishin të interesuem për fitoren e grushtit të shtetit, kundër nji qeverie të zgjedhun në mënyrë të ligjshme”. Edhe në Jerusalem besojnë se grushti i shtetit në Turqi, ka origjinë saudite. Kjo asht konfirmue nga burime të shërbimeve të mshefta izraelite, të citueme nga Aaron Klein.

Por, pse sundimtarët sauditë (ose përfaqësuesit e këtyne regjimeve) dëshirojnë që me përmbysë qeverinë e Erdoganit? Sigurisht jo për me parandalue nji kthese islamike të Turqisë (lajtmotiv i mediave perendimore), ndërsa vendet e Gjirit janë ftyra ma obskurantiste, intolerante dhe fondamentaliste e Islamit.

Arsyeja ndoshta duhet kërkue në krizën siriane dhe vendimin e Turqisë për me i rivendosë marrëdhaniet me Rusinë e Putinit, si edhe me i pranue planet e paqes që janë ofrue, për me ruejtë regjimin e Assadit, në mbrendësi të nji mjedisi të ri në Lindjen e Mesme.