“Ardhmënia e Trepçës asht e pakthim, ajo e ka marrë rrugën e vet”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministrin e Financave, Avdullah Hoti, ka vizitue Ndërmarrjen Trepça, ku asht takue me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët e saj.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se, me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet dhe ardhmënia e saj asht e sigurt.

“Vlerësuem bashkënisht se ardhmënia e Trepçës asht e pa kthim, Trepça e ka marrë rrugën e vet, Ligji në mënyrën ma të mirë e ka ba zgjidhjen për perspektivën e Trepçës, dhe tash vetëm se duhet me punue që me u pregaditë që na të implementojmë Ligjin posa ai ka me hy në fuqi. Asht e drejtë e krejtve që me ba ankesa, me ju drejtue institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo hiq nuk e pengon Trepçën dhe neve që me vazhdue këtë rrugë, sepse na jemi të përcaktuem që me forcue Trepçën, që Trepçën me organizue si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të “Trepçës” në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe tanë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, u shpreh i kënaqun me statusin e minatorëve në Ligjin e ri, i cili ka me mundësue tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinueme, për procedimin e produkteve të Trepçës.

“Unë dëshiroj me i urue krejt minatorët, me falënderue Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit Parlamentar dhe Grupet Parlamentare, të cilët në këtë moment kanë qenë gati të gjithë unik sa i përket këtij objektivi nacional të Kosovës dhe konsideroj se Trepça kështu qysh asht parapa me ligj, asht në interes të krejtve. Asnji komunitet nuk mundet me pa veten të rrezikuem, por e sheh veten të avancuem, sepse nuk kanë pasë mundësi ma përpara me mendue askush, se ka me u ba pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç na tash e kemi rregullue me Ligj. Çashtjet tjera janë mandej çashtje të politikave, sepse e kemi thanë qartë, që na me askënd nuk kemi me diskutue çashtjen e pronësisë së Trepçës. Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërkaq pasunitë minerare janë pasuni e shtetit të Kosovës dhe kjo çashtje mbetet e mbyllun njiherë e përgjithmonë. E hapun mbetet, se qysh na me çue Trepçën përpara”, ka theksue kryeministri.